Jezusi tha: “Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi. Do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë”.1 Të gjithë e dimë se leximi dhe meditimi i vazhdueshëm mbi Fjalën e Zotit, duke u lutur dhe duke dëgjuar zërin ende të ulët të Zotit, është thelbësore për shëndetin dhe frytshmërinë tonë shpirtërore. Por ndonjëherë nuk jemi aq të qëndrueshëm siç do të dëshironim në bërjen e këtyre gjërave. Ne e kapërcejmë leximin e Biblës, nxitojmë për kohën e lutjes dhe pushojmë së kërkuari këshillat e Zotit për çështje të rëndësishme.

Fatkeqësisht, ndonjëherë mendoj se njihemi pak si tepër me Fjalën e Zotit dhe fillojmë ta marrim atë si të mirëqenë, madje edhe të ndihemi të mërzitur. Ka kaq shumë për të lexuar këto ditë, kur pothuajse çdo artikull për pothuajse çdo temë është në internet, në majë të gishtërinjve tanë. Ky mund të jetë një shpërqendrim, sepse shkrimet e tjera ndonjëherë mund të duken më interesante, sesa Fjala e Zotit apo libra të tjerë përkushtimi. Ndonjëherë, libra të tjerë mund të duken sikur identifikohen më shumë me botën e sotme.

Ekziston gjithashtu një breshëri e vazhdueshme e shpërqendrimeve të tjera në botën e sotme që mund të jenë argëtuese dhe relaksuese, por mund të vjedhin kohën që normalisht do ta kalonim duke lexuar dhe studiuar Fjalën e Zotit dhe shkrime të tjera që na ushqejnë shpirtërisht.

Nëse luftoni me apatinë ose mërzinë në jetën tuaj shpirtërore dhe e keni të vështirë të përqendroheni ose të qëndroni të përqendruar, kur lexoni Fjalën e Zotit dhe ndieni që rrugëtimi juaj me Të ka ngecur, nuk jeni vetëm. Do të guxoja të them që kjo u ndodh të gjithëve në një periudhë dhe për disa, kjo është një luftë e vazhdueshme.

Unë mendoj se është akoma më e vështirë në këtë periudhë moderne të jesh i kënaqur me studime të qeta për shkak të ritmit të furishëm të kohërave, në të cilat jetojmë. Nuk jemi mësuar të jemi… e po… kështu të qetë, dhe mendjet tona priren të enden.

Ndonjëherë, ju ndihmon vetëm t’i pranoni vetes që e keni lejuar mërzinë të depërtojë në jetën tuaj shpirtërore. Nëse jeni të gatshëm ta njihni problemin, mund të punoni në gjetjen e një zgjidhjeje apo në përmirësimin e situatës. Atëherë ju mund t’i kërkoni Zotit udhëzimin e Tij për një qasje më të mirë dhe një ndryshim në qëndrim për të pasuruar kohën tuaj me Të.

Ja disa koncepte të dobishme që kam vënë re pas hulumtimit të burimeve të ndryshme në internet:

  • Është një takim, jo një zakon. Njerëzit i referohen si zakon lutjes dhe leximit të përditshëm të Biblës. Por koha juaj e qetë është vërtet një takim me Krishtin e gjallë. Mos u përqendroni aq shumë në mekanikën e procesit sa të humbisni Personin që qëndron pas tij. Nëse dëshironi të keni një kohë të qetë më kuptimplotë, shikojeni leximin e Biblës dhe lutjen si dialog të përditshëm me Zotin.
  • Është një privilegj, jo një detyrë.Mos harroni, Zoti ju do vërtet. Dhe Ai dëshiron të kalojë kohë me ju. Mos u përqendroni te faji që të mos “paguani detyrimet” ndaj Tij. Përkundrazi, në sado kohë që keni, përqendrohuni të shprehni dashurinë dhe përkushtimin tuaj ndaj Tij. Së shpejti, do ta gjeni veten duke pritur me padurim të kaloni kohë me Zotin.
  • Gjeni një plan që ju përshtatet. Shumë njerëz thonë, “Më pëlqen të gatuaj, por urrej të vendos se çfarë të bëj për darkë.” I njëjti parim është i vërtetë, edhe kur bëhet fjalë për një ditë të qetë. Kjo është arsyeja pse është e dobishme të përgatisni një plan ditor leximi të Biblës apo një udhëzues përkushtimi. Atëherë, nuk do të duhet ta kaloni kohën tuaj të qetë në “planifikimin e menysë” dhe mund të përjetoni “harenë e gatimit”.
  • Jini kreativ, shtoni shumëllojshmërinë. Edhe gjërat e mira mund të bëhen rutinë. Për ta mbajtur të freskët shëtitjen tuaj të përditshme me Zotin, ndryshoni herë pas here qasjen tuaj. Lexoni fragmentin në një përkthim të ri të Biblës. Mbani një ditar të reflektimeve tuaja. Provoni të keni një kalendar “përmes Biblës në një vit”. Krijoni plane të ndryshme për leximin e Biblës ose studioni një libër biblik në thellësi duke bërë komente.
  • Mësoni të dëgjoni. Lutja nuk është vetëm të flisni me Zotin; po ashtu ta dëgjoni. Merrni kohën e nevojshme për të ndier praninë e Zotit, për t’i treguar Atij shqetësimet dhe meraqet tuaja. Mendoni përsëri për përvojat e ditës së fundit. E keni parë prekjen e Zotit në përditshmëri? Reflektoni për ato që keni lexuar në Fjalën e Zotit. Çfarë po thotë Ai? Kur e doni dikë, ju merrni kohën e nevojshme për ta dëgjuar atë.

Këtu janë disa ide shtesë që mbase dëshironi t’i merrni në konsideratë, nëse keni nevojë për një shtysë në kohën tuaj të adhurimit, lutjes dhe leximit të Fjalës së Zotit.

  • Kërkojini Zotit të shtojë dëshirën tuaj për ta njohur atë më mirë përmes leximit të Fjalës së Tij.
  • Gjeni një përkthim të Biblës që është i qartë për ju dhe i lehtë për t’u kuptuar. Pavarësisht nëse është më tradicionale apo bashkëkohore, qëllimi është që ju të kënaqeni duke e lexuar dhe të mësoni prej tij.
  • Lexoni dhe adhuroni së bashku me një person tjetër, dikë që mund të shërbejë si partner përgjegjës. Diskutoni se çfarë po lexoni.
  • Meditoni për ato që keni lexuar; kërkojini Zotit t’ju tregojë se çfarë do të thotë personalisht për ju dhe si lidhet me jetën tuaj.

Marrëdhënia jonë me Zotin është e ngjashme me marrëdhëniet e tjera intime; nuk është e mundur të jesh në një lartësi shpirtërore 24/7. Ndonjëherë gjërat janë rutinë dhe nuk ka problem. Mbajtja në mendje e kësaj na ndihmon të jemi realistë në pritshmëritë tona. Dhe duke i zbatuar këto udhëzime të thjeshta, mund të fuqizohemi në periudhat e mërzisë shpirtërore.

  1. Gjoni 8:31–32