Shpesh kuptimi ynë për botën është i kufizuar në atë që dimë dhe botëkuptimi ynë është formuar nga përvoja jonë, kultura jonë, edukimi ynë, rritja jonë, statusi ynë socio-ekonomik, si dhe nga marrëdhëniet, standardet dhe aspiratat tona personale. Kur shohim një burrë që fle në një prag dere ose një grua që kërkon ndihmë me zë të paqartë, mund të priremi të krahasojmë gjendjen e tyre me kuptimin tonë për botën. Mund të supozojmë se ka diçka në thelb të gabuar me dikë në një gjendje të tillë.

Në të vërtetë, varfëria i vendos njerëzit në një botë tjetër. Personi i pastrehë që fle në prag mund të mos ketë qenë në gjendje të pushojë një natë më parë, sepse po ruante ato pak gjëra që ka. Ajo grua mund të ketë një gjendje mjekësore të patrajtuar që ndikon në të folurin e saj.

Chelle Thompson shkruan,Qeniet njerëzore rrallë dalin jashtë vetes për të kuptuar me të vërtetë nevojat dhe frikën e të tjerëve. Ne shpesh projektojmë mendimet dhe besimet tona mbi të huajt dhe bëjmë gjykime bazuar në mënyrën se si mendojmë se ata “duhet” ta jetojnë jetën e tyre.”

Dikush ka sugjeruar, që për të kuptuar të tjerët, duhet të ecim një kilometër në këpucët e tyre. Por a mund të eci në këpucët e një nëne beqare që është e pastrehë, e sëmurë, duke luftuar me një varësi nga ilaçet me recetë dhe u janë marrë fëmijët dhe janë vendosur në kujdestari të tjetërkujt? Si mund ta ndiej ndonjëherë atë që ajo ndjen? Nuk mund të eci në këpucët e saj, por mund të pyes nëse dëshiron të flasë, të më tregojë historinë e saj, të më tregojë se si ndihet në këpucët e saj. Të dy mund të përfitojmë.

Miku im Kuentin vuan nga sëmundja e Parkinsonit dhe ka pasur halucinacione që e frikësonin dhe ia bënin të vështirë të jetonte një jetë normale. Kur u transferua në një shtëpi pleqsh, stafi atje i kuptoi kushtet e tij dhe një kujdestar i shpjegoi Kuentinit se disa qeliza të trurit po i dërgonin sinjale të rreme. Kjo e vendosi fajin aty ku i përkiste, në sëmundjen e tij dhe jo në vetë Kuentinin.

Në një konferencë për shëndetin mendor që kam marrë pjesë dikur, një folës tha: “Mos thuaj, ‘Ai është skizofren’, por ‘Ai ka skizofreni’.” Në të njëjtën mënyrë, kam probleme të shumta shëndetësore, por nuk dua të përcaktohem prej tyre. Nuk dua të quhem “gruaja e sëmurë”.

Kjo perspektivë ndryshon jo vetëm fjalët tona, por edhe qëndrimin tonë. A mund ta ndajmë personin nga çfarëdo gjendje që e prek atë, pavarësisht nëse është sëmundje mendore, varësi nga droga, varfëri apo sëmundje fizike? A mund ta shohim se kush është brenda dhe ta trajtojmë atë person me respekt? Nëse mund të shohim përtej pamjeve ose supozimeve, kemi mundësinë të zbulojmë diçka të mirë, madje edhe të bukur, nën një pamje të jashtme të ashpër ose jo tërheqëse.

Kur burri im dhe unë filluam të dilnim vullnetarë në një strehë lokale për të pastrehët, paragjykimet e mia u zhdukën, teksa mësova arsyet pse kjo nënë beqare ose ai burrë i moshuar ishin atje. Shpesh, një mori ngjarjesh fatkeqe që mund t’i ndodhnin kujtdo i kishin lënë pa vend për të jetuar dhe pa askënd për t’i pranuar në shtëpi.

Kur e pyeta një burrë se çfarë kishte bërë më parë, ai tha se kishte qenë auditor, “atëherë kur isha person”. Doli se ai kishte qenë në të vërtetë mbikëqyrësi i një departamenti qeveritar të audituesve para se depresioni t’i kushtonte punën e tij dhe, përfundimisht, gjithçka që kishte. Pasi mori trajtim në strehë, ai gjeti një punë tjetër dhe tani ka përsëri shtëpinë e tij.

Stafi në strehë u drejtohet me mirësjellje atyre që qëndrojnë atje si z. ose znj. Filane, Zotëri, Zonjë apo Zonjushë. Kur tregojmë respekt, japim dinjitet. Dinjiteti i ndihmon njerëzit ta shohin veten më pozitivisht dhe kjo jep shpresë. Shpresa jep vullnetin për t’u përpjekur dhe për të vazhduar përpjekjen. Në këtë mënyrë, respekti ynë mund të ndihmojë dikë të gjejë një jetë të re.

Halucinacionet e rënda të Kuentinit u zbuluan se ishin rezultat i ilaçeve të papërshtatshme; kur doza u ul, ai ndaloi të shihte kaq shumë ngjarje të çuditshme që po shpaloseshin rreth tij. Ai ende përballet me sfida, por kuptohet dhe pranohet në shtëpinë e pleqve dhe është i lumtur.

Ju mund të merrni dashurinë dhe shpëtimin e Zotit thjesht duke bërë këtë lutje:

I dashur Jezus, unë besoj se Ti më do dhe vdiqe për mua, që unë të mund të jetoj në qiell përjetësisht. Të lutem më jep dhuratën Tënde të shpëtimit, më mbush me Frymën Tënde të Shenjtë, më ndihmo të të njoh më mirë dhe më ndihmo të ndaj dashurinë Tënde me të tjerët, madje edhe me ata të cilëve nuk do t’u afrohesha zakonisht. Amin.