Krishtlindja është një periudhë gëzimi dhe festimesh. Shumë vende kanë zakone dhe tradita unike që ndihmojnë, për ta bërë këtë një sezon të lumtur.

– Në Meksikë, duke filluar nëntë ditë para Ditës së Krishtlindjes, fëmijët kalojnë nëpër lagjet e tyre duke aktruar momentin kur Jozefi dhe Maria kërkonin strehim. Dy fëmijë që mbajnë figurat e Jozefit dhe Marisë drejtojnë një procesion drejt një shtëpie të caktuar duke kënduar këngët e Krishtlindjes gjatë marshimit. Ata trokasin në derë dhe kërkojnë një dhomë. Në fillim i refuzojnë, por më pas i lejojnë të hyjnë. Pason një gosti dhe festa. Fëmijët, me sy të lidhur, kënaqen duke u përpjekur të thyejnë piñata-n me shkop,një figurë e madhe papier-mâché e zbukuruar plot shkëlqim, e cila gjendet e varur në tavan dhe mban brenda karamele ose dhurata të vogla.

– Në Irlandë, ndizet një qiri  dhe vihet në dritare në Prag Krishtlindjeje, për të mirëpritur çdo udhëtar të lodhur.

– Në Skoci, një natë pas Krishtlindjes, përgatiten kuti me ushqime dhe u dhurohen të varfërve.

– Në Rusi, disa të krishterë ortodoksë agjërojnë një periudhe para Krishtlindjes. Pastaj, duke parë yllin e parë në qiell në Prag Krishtlindjeje, nis darka me 12 pjata.

– Në Greqi, fëmijët shkojnë shtëpi më shtëpi në Vigjilje të Krishtlindjes, duke trokitur në dyer dhe duke kënduar këngë që paralajmërojnë ardhjen e Krishtit Foshnjë.

– Në Ganë, Afrikën Perëndimore, shtëpitë zbukurohen për rastin me zbukurime letre të ndritshme të bëra nga familjet. Zbukurohet edhe një pemë në oborrin e secilës shtëpi, më shpesh një mango, guava ose pemë shqeme.

– Në Etiopi, anëtarët e Kishës Ortodokse Etiopiane e festojnë Krishtlindjen më 6 janar, sipas kalendarit antik Romak.

– Në Indinë jugore, të krishterët zbukurojnë natën shtëpitë e tyre me llamba argjile.

– Në Filipine, Këngët e Krishtlindjeve fillojnë të mbushin atmosferën që nga muaji shtator.

– Në Kinë, të krishterët ndërtojnë pemë artificiale, të quajtura “pemë drite” dhe i zbukurojnë ato me zinxhirë letre, lule, fenerë dhe zbukurime të tjera.

– Amerikanët dekorojnë shtëpitë e tyre me drita me ngjyra të ndezura. Në disa pjesë të vendit ata gjithashtu veshin rrugët me qirinj.

Në shumë vende, skenat e lindjes së Krishtit vihen në skenë për t’i kujtuar të gjithëve lindjen e Jezusit. Në Itali, familja lutet ndërsa nëna vendos figurën e Fëmijës së Krishtit (Bambino) në grazhd.

Në të gjithë botën, bien kambanat në të tilla raste gëzimi. Ç’rast më të gëzueshëm mund të ketë sesa të festosh dhuratën e dashurisë së Zotit për botën, Birin e tij të vetëm? Në të gjithë Norvegjinë, njerëzit e presin Krishtlindjen duke i rënë kambanave në orën 17:00 Natën e Krishtlindjes.

Dhe, natyrisht që nuk mungon as Pema e Krishtlindjes. Ekzistojnë spekulime të konsiderueshme se si dhe kur u bë gjelbërimi simbol i përjetshëm Krishtlindjes, por shumë besojnë se mund të gjurmohet në Gjermaninë mesjetare, ku Paradeisbaum, ose Pema e Parajsës, një lloj bime me gjelbërim të përjetshëm, ishte zbukuruar me mollë të kuqe dhe u përdor në një shfaqje popullore rreth Adamit dhe Evës që u vu në skenë në Krishtlindje, e cila përfundoi me premtimin e Shpëtimtarit që vjen. Fakti që pema është gjithmonë e gjelbër simbolizon jetën e përjetshme që Jezusi u premton atyre që besojnë në Të. Ashtu si gjelbërimi i përhershëm lulëzon edhe në dimër, ashtu Krishti ishte triumfues ndaj vdekjes.

Të krishterët në kohërat e shkuara dekoronin shtëpitë e tyre me pemën e shenjtë në periudhën e Krishtlindjes. Ata e quajtën atë “pema e shenjtë”, ndërsa gjethet me gjemba u kujtonin kurorën e ferrave që Jezusi mbante kur u kryqëzua dhe manaferrat e kuq u kujtonin atyre gjakun që Ai derdhi për faljen e mëkateve tona.

Ndoshta më e përhapura nga të gjitha Traditat e Krishtlindjeve, dhënia e dhuratave njerëzve të dashur, i ka rrënjët tek dhuratat që burrat e mençur i dhanë Jezusit. Ata kishin parë një shenjë në qiej që sinjalizonte lindjen e Mesisë dhe shkuan ta adhurojnë Atë dhe i dhanë familjes së tij dhurata prej ari, temjan dhe mirrë. Dhurata e arit nënkuptonte mbretërimin e Tij. Dhurata e temjanit nënkuptonte natyrën e Tij hyjnore. Ishte një rrëshirë aromatike nga e cila bëheshin temjani dhe parfumi enkas për mbretërit. Mirra, dhurata e tretë, ishte një tjetër rrëshirë aromatike, nga e cila bëhej parfumi për të balsamosur të vdekurit. Kjo nënkuptonte njerëzimin e Jezusit dhe se Ai do të vdiste për ne. Lindja, vuajtja, vdekja dhe lavdia e Jezusit u zbuluan të gjitha në dhuratat e njerëzve të mençur.

Por pse gjithë këto tradita? Le të kthehemi në kohë përsëri tek Vigjilja e Parë e Krishtlindjes, ku disa barinj po kujdesen për kopetë e tyre në një kodër afër Betlehemit. Një dritë e ndritshme shpërthen dhe engjëjt shpallin me këngë lindjen e Jezusit. Barinjtë janë aq të ngazëllyer sa vrapojnë dhe u tregojnë të gjithëve që munden për atë që sapo ka ndodhur. Imagjinoni gëzimin që ndien Maria dhe Jozefi kur mbajtën në krahë Birin e Zotit! Të njëjtin gëzim të patregueshëm mund ta ndiejnë edhe sot të gjithë ata që hapin zemrat e tyre për të marrë dashurinë e Zotit te Jezusi.