Një ditë lexova një artikull shumë interesant për teknikën Fejnman, i cili premton t’ju ndihmojë të mësoni çdo gjë në katër hapa. Më intrigoi, pasi e shijoj procesin e marrjes së njohurive dhe e shfrytëzoj çdo mundësi për ta bërë procesin më të lehtë. Artikulli thotë se Fejnman u përpoq të shpjegonte gjithnjë idetë komplekse në terma më të thjeshtë. 1

Atëherë m’u kujtua diçka po aq praktike dhe shumë më e rëndësishme, të cilën do ta quaj Dy Hapat e Dashurisë, siç përcaktohet nga mësuesi më i madh:

  1. Duajeni Zotin me gjithçka që është brenda jush, absolutisht dhe pa mëdyshje gjithçka. Kjo përfshin kohën tuaj, dëshirat, paratë dhe gjithçka tjetër.
  2. Duajini ata që janë rreth jush, kujdesuni për nevojat dhe ndjenjat e tyre po aq sa ju interesojnë tuajat. Vendoseni veten në vendin e të tjerëve; dhe merrni kohën për t’i ndihmuar ata kudo dhe kurdo që të keni mundësi. 2

Dhe pikërisht atje, ne kemi një formulë të thjeshtë për një jetë të kuptueshme e të suksesshme.

Sa herë është thënë se ajo çka i duhet më shumë botës është dashuria? E megjithatë, për fat të keq, shohim kaq shumë ngjarje në botën tonë moderne që përfaqësojnë të kundërtën: lufta, dhuna, diskriminimi dhe jo toleranca. Sa ndryshe do të ishte me të vërtetë jeta dhe shoqëria në përgjithësi, nëse Dy Hapat e Dashurisë do të praktikoheshin çdo ditë.

Çarls Spërxhën tha dikur, “Ne kemi lidhje shpirtëror me Krishtin në mendimet, pikëpamjet dhe qëllimet e Tij; sepse mendimet e Tij janë mendimet tona sipas kapacitetit dhe shenjtërisë sonë. Besimtarët marrin të njëjtën pikëpamje për çështjet si Jezusi; ajo që i pëlqen Atij i pëlqen edhe atyre, dhe ajo që e trishton Atë i trishton gjithashtu ata.”

Sa e mrekullueshme do të ishte nëse kjo do të ishte më e vërtetë për mua; të mendosh siç mendo Krishti dhe të kesh dëshira që i përputhen atij, në vend të tendencave të mia egoiste. E hidhëron Shpëtimtarin tonë të shohë kaq shumë njerëz që janë të pakënaqur dhe të padashur, prandaj duhet të më hidhërojë edhe mua gjithashtu. Nuk mund të bëj gjithmonë aq sa dëshiroj, por mund të dhuroj shumë dashuri.

Nëse përkushtohem të gjej kohë duke lexuar Fjalën e Tij, të dëgjoj zërin e Tij, dhe të ndjek Dy Hapat e tij të Dashurisë, jam drejt një jete të bekuar me përmbushje shpirtërore.

  1. Këtu janë katër hapat e të mësuarit të Fejnman: https://curiosity.com/topics/learn-anything-in-four-steps-with-the-feynman-technique-curiosity.
  2. Shih Mateu 22:37–40.