“A mund t’i mësoni anglisht gruas time?” – dëgjova të thoshte një zë pas meje, ndërsa isha duke zgjedhur perime në tregun e hapur në lagjen tonë në Kili. U ktheva dhe pashë një të huaj entuziast që më tha, “Gruaja ime ka nevojë të mësojë anglisht, dhe unë mendoj se ti je personi i duhur që do ta mësosh atë.” U hutova dhe i thashë se nuk jam një mësuese anglishteje, por ai këmbëngulte, kështu që unë me ngurrim ia shkrova numrin tim të telefonit në një copë letër dhe ia dhashë.

Të nesërmen në mëngjes, u zgjova nga zilja e celularit tim. Një zë i butë më përshëndeti dhe më pyeti se kur mund ta fillonim mësimet. Isha ende e hutuar, por pranova ta takoja gruan në fjalë, e cila jetonte vetëm disa blloqe nga shtëpia ime.

Kam qenë mësuese për mbi 35 vite, por e kisha lënë profesionin dy vite më parë, duke u thënë njerëzve që isha e lodhur dhe kisha dalë në pension, çka do të thotë që megjithëse më pëlqente të jepja mësim, nuk e ndieja që kisha fuqi për të dhënë mësim në klasë.

Por studentja ime e re ishte studentja më e mirë që çdo mësues mund të shpresonte të kishte dhe megjithëse nuk kisha dhënë mësim AGJD (anglisht si gjuhë e dytë), nuk ishte e vështirë të gjeje libra dhe materiale mësimore. Bëmë çdo javë mësim, për dy vite. Pastaj, për tre vitet e ardhshme, i dhashë mësim edhe fëmijëve të saj! Ata janë një familje e adhurueshme e krishterë dhe kemi gjetur shumë gjëra të përbashkëta. Teksa u shfaqën mundësitë, bëra edhe punë të tjera mësimi privat dhe përfundimisht bëra disa kurse për të përsosur aftësitë e mia dhe për t’u bërë një mësuese e certifikuar e anglishtes si gjuhë të dytë.

Kjo më tregoi se unë ende dua të jap mësim! Ndoshta, jo të merrem me një klasë të tërë, por më pëlqen shumë mësimi privat. Më pëlqen të planifikoj orët dhe jam e entuziazmuar kur studentët e mi përparojnë. Pra, ajo që filloi si zëri i një të huaji në tregun e hapur u kthye në një profesion krejt të ri për mua.

Më në fund, erdhi dita që familja kishte pritur gjithë ato vite, kompania ku punonte i ati, e transferoi atë në Kanada. Ne të gjithë e kuptuam që Zoti i kishte bërë gati shtigjet tona për t’i përgatitur ata të shkonin në vendin e tyre të ri. Ata janë të entuziazmuar kur përdorin gjuhën që studiuan me besnikëri gjatë gjithë këtyre viteve dhe shpesh më dërgojnë foto. Dhe unë jam mirënjohëse që, megjithëse jam zyrtarisht në moshën e pensionit, kam një profesion krejt të ri dhe shumë mundësi pune. Më pëlqejnë kthesat dhe surprizat e papritura të jetës dhe mund të shoh dorën e Zotit ndërsa Ai krijon këto situata dhe ngjarje.