Duke qenë gjithmonë në kërkim të diçkaje të bukur, një ditë pashë një copëz të vogël e të lëmuar qelqi përgjatë plazhit. Kur është e lëmuar dhe me shkëlqim, një copë e zakonshme qelqi duket si diçka me vlerë, si diçka për t’u ekspozuar tek dera, në një varëse të çmuar apo diçka të përafërt. Të njëjtin efekt ka dhe oqeani mbi drurin. Një copë druri e lëmuar dhe me shkëlqim që ka qenë në det, mund të shndërrohet nga një degë e pavlerë në material për mobilje apo krijime artistike. Çdo copë druri apo qelqi e lëmuar nga uji dhe rëra, është unike. Disa prej tyre i kanë mbledhur, madje dhe i kanë shitur.

Natyra është plot me shembuj ku kushtet e vështira mund ta shndërrojnë diçka të vogël e të pavlerë në diçka të veçantë dhe me vlerë: perla, diamanti, druri i fortë që rritet lart në male. Edhe shurupi i panjës ka nevojë për dimër të gjatë e të ftohtë në mënyrë që pema të ketë  lëng të mjaftueshëm për prodhim. 1  Mund të gjeni edhe shumë shembuj të tjerë, ku kushtet e vështira krijojnë njerëz të jashtëzakonshëm—ata që janë të ndjeshëm, të mençur, plot shpresë e hare, të duruar, vetësakrifikues ose me ciësi të tjera për t’u admiruar.

Por vendi ku në fakt duhet të shkoni për të fituar këto cilësi nuk është gjithmonë i bukur, madje shpesh është një vend ku nuk doni të shkoni, një vend për të cilin do të luftoni për të mos shkuar.

Nuk kam provuar kurrë diçka shumë të rëndë në jetën time. I kam të gjithë gjymtyrët e mia, nuk kam parë njeri të vritet para syve të mi apo të më vdesë dikush në duar, por sigurisht ka pasur raste kur Zoti më ka çuar në ato vende të vështira nëpërmjet mënyrave të tjera, si gabimeve të mëdha e të sikletshme, ndryshimeve që s’më pëlqenin, lidhje që përfunduan, probleme shëndetësore dhe gjëra të tjera që kanë trazuar jetën time, ashtu si valët e oqeanit që godasin copën e qelqit.

Herën e parë që i gjeta copat e qelqit në plazh, isha shumë e emocionuar. Kisha ide të ndryshme se çfarë mund të bëja me këto thesare. Dhe që të sigurohesha se nuk do të më mbaronte xhami i lëmuar e i bukur, vendosa të bëj një timin. Nuk ishte e vështirë të gjeje copa xhami të thyera e të mprehta. Gjeta disa me ngjyra të ndryshme: kafe, jeshile e hapur, jeshile e errët, transparente, madje edhe një copë bojëqielli. Këto copa xhami që shumë shpejt do të ishin thesare, i vendosa në një pellg të vogël uji dhe rëre, që ishte mbledhur poshtë një shkëmbi dhe që dallgët e rrihnin vazhdimisht dhe po prisja të shihja atë që isha e sigurt se do të ndodhte në pak javë.

Sigurisht, kur u ktheva tek ai vend pas disa javëve, nuk u çudita nga ajo që gjeta. Xhami ishte ende aty, pak më ndryshe, por jo i lëmuar. Nuk ishte i bukur—akoma jo.

Çështja është se duhet të jeni të duruar. Duhet kohë që xhami të bëhet i lëmuar, që grimca e rërës të bëhet perlë, që një sasi qymyri të bëhet diamant dhe duhet kohë që ju dhe unë të bëhemi të përulur e të kemi mirësi si Jezusi.

Herën tjetër që do të ndjeni një goditje dallge—ndoshta tentuat të bënit diçka e dështuat, ndoshta dikush që ju e donit nuk do t’ia dijë më për ju, ndoshta diçka që keni dëshiruar nuk po realizohet—sido që të jetë goditja e “dallgës”, thjesht shikoni atë ç’ka ajo po ju shkakton.

Po ju bën më të duruar. Po ju mëson të rezistoni. Po ju bën më të ndjeshëm. Po ju tregon se Zoti është i vetmi që nuk ju zhgënjen. Po ju mëson një lloj paqeje që nuk ndikohet nga rrethanat. Çfarëdo gjëje që po ju mëson, unë mendoj se do të jeni të lumtur dhe në paqe me rezultatin.

“Madje, jo vetëm kaq! Ne mburremi edhe për shtrëngimet, sepse e dimë mirë se shtrëngimet sjellin qëndresën, qëndresa na bën besnikë të sprovuar e besnikëria e sprovuar sjell shpresën e shpëtimit.” 2 Dhe pse nuk i dua gjërat e vështira, pajtohem me Palin në këtë rast. E di se çdo dallgë që është përplasur tek unë më ka bërë të ndryshoj për më mirë.


  1. Përse shurupi i panjës kushton kaq shumë,
  2. Romakëve 5:3-4