Lexova një shprehje me shumë kuptim nga C.S. Lewis: “Sa herë që bën një zgjedhje, ti e formëson atë pjesë qendrore të vetes, pjesën që zgjedh, duke e bërë pak më ndryshe nga ç’ishte më parë.” A mund të jetë kjo e vërtetë edhe për vendimet e vogla të përditshme?

Ai vazhdon duke thënë: “E mira dhe e keqja shtohen me interes të përbërë. Kjo është arsyeja pse vendimet që ti dhe unë marrim çdo ditë janë me rëndësi të pafundme. Një veprim i vogël i mirë sot është si kapja e një pike strategjike, nga e cila, pas disa muajsh, mund të vazhdosh të fitosh beteja që as nuk i ke ëndërruar. Një lëshim i dukshëm ndaj epshit ose zemërimit sot është si humbja e një kurrize, linje hekurudhore ose ure, nga e cila armiku mund të nisë një sulm që ndryshe do të ishte i pamundur.”1

E kuptoj mesazhin. Mirësia sjell mirësi. Krijon një efekt zinxhir. Kam vënë re se sa herë që bëj një përpjekje për t’u treguar e interesuar për të tjerët, bëhet më e lehtë—sikur po forcoj një muskul. Dikur më dukej shumë e sikletshme të filloja biseda me të panjohur, por tani më pëlqejnë ato muhabetet e vogla miqësore kur dal jashtë. Disa prej tyre janë kthyer në biseda më të thelluara, madje edhe në miqësi të vërteta.

Nga ana tjetër, sa herë që tregoj padurim me bashkëshortin tim, duket sikur po hap derën për mungesën e unitetit dhe besimit në martesën tonë. Sa martesa nuk kanë filluar të përkeqësohen për shkak të fyerjeve apo grindjeve të vogla që askush nuk u kushtoi vëmendje?

Kur isha fëmijë, nuk shqetësohesha shumë për gënjeshtrat e vogla këtu e atje. “Nuk isha unë! Nuk e di kush e theu atë!” Gjëra të tilla. Por kur hyra në adoleshencë, u bëra një gënjeshtare e zakonshme—pa asnjë grimë pendese për historitë që sajoja. M’u deshën vite për të hequr qafe atë zakon, sepse ishte bërë pjesë e karakterit tim.

Pra, ndoshta nuk ka shumë rëndësi se ç’vesh sot apo çfarë do të gatuaj për darkë, por po, ka disa vendime të vogla që, ngadalë por sigurt, do të formësojnë të ardhmen dhe karakterin tim. A do të bëhem më e përqendruar tek vetja apo më e përqendruar te Krishti?

Kur të plakem, a do të kem paqen dhe kënaqësinë e një jete të jetuar mirë?—Jo një jetë me arritje të mëdha e vepra të jashtëzakonshme, por një jetë e ndërtuar mbi vendime të vogla për ta vënë Zotin në vend të parë dhe për t’i shërbyer të tjerëve? Nëse po, atëherë do të jem e lumtur.


  1. “Mere Christianity” nga C.S. Lewis