“Nuk po flas sikur të isha në nevojë, sepse kam mësuar të kënaqem në çdo situatë ku ndodhem. Di të jetoj me pak dhe di të jetoj me shumë. Në çdo rrethanë, kam mësuar sekretin e përballimit të bollëkut dhe të mungesës, të ngopjes dhe të urisë. Unë mund të bëj gjithçka nëpërmjet atij që më jep forcë.” (Filipianëve 4:11–13)
Apostulli Pal e njihte mirë çka do të thotë “të jetosh në kufijtë e të pamundurës.” Ai jetonte në një kohë me paqëndrueshmëri politike, pasiguri ekonomike dhe shumë sfida fizike. Dikur një farise me një jetë të rregullt dhe të parashikueshme, tani ai përballej me një rrugëtim plot aventura, duke ndjekur Krishtin çdo ditë.
Në ndryshim nga Pali, unë pranoj që nuk jam e mirë në përballimin e pasigurive. Më pëlqen kur gjërat janë të qarta, të sigurta e të parashikueshme. Por jeta s’është gjithmonë e tillë. Ndonjëherë, edhe kur gjithçka po ecën mirë, e kap veten duke u shqetësuar për të ardhmen—kur do të vijë sfida e radhës? Dhe kur gjërat janë të vështira, më mundojnë pyetjet: deri kur do të zgjasë kjo? A do të mund ta përballoj?
Por Pali e shihte ndryshe. Ai kishte kuptuar një sekret të madh: pavarësisht rrethanave, ai do të ishte mirë, sepse forca e tij vinte nga Zoti. Ndonjëherë harrojmë që edhe momentet e mira kërkojnë forcë, jo vetëm ato të vështirat. Po, është më e lehtë të ndiejmë nevojën për Perëndinë kur po përballemi me sprova, por në ditët e begatisë kemi nevojë për forcën e Tij që të mos humbasim fokusin, të mos mashtrohemi duke menduar se lumturia varet nga rrethanat, ose të mos e lejojmë frikën për të ardhmen të na marrë paqen.
Jetojmë në një botë që ndryshon me ritme marramendëse—politika, ekonomia, kultura, gjithçka lëviz shpejt. Nuk është çudi që ndonjëherë ndiejmë pasiguri. Por në vend që të lejojmë rrethanat të përcaktojnë paqen tonë, le të kujtojmë fjalët e Palit:
“Mos u shqetësoni për asgjë, por në çdo gjë, me lutje dhe me përgjërime, bashkë me falënderim, lërjani kërkesat tuaja Perëndisë. Dhe paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendje, do të ruajë zemrat dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus.” (Filipianëve 4:6–7)
Kjo nuk është një hartë e detajuar për të përballuar botën në të cilën jetojmë, por është një këshillë që na ndihmon të orientojmë zemrën tonë drejt të vërtetës së Perëndisë. Ai na premton që do të na ruajë mendjet dhe zemrat tona përmes Jezusit. Dhe kur zemrat tona janë në vendin e duhur, rruga për hapat e ardhshëm bëhet shumë më e qartë.