Në një histori që Jezusi tregoi, një djalë i ri u largua nga shtëpia duke shpresuar të pasurohej, por duke bërë një jetë të shfrenuar shpërdoroi pjesën e tij nga pasuria e familjes. Më në fund, i mbetur trokë dhe kokëulur, u kthye në shtëpinë e babait të tij, me siguri i gatshëm për të pritur prej tij një qëndrim të nervozuar ose të paktën mospërfillës, dhe një qortim të ashpër. Mirëpo, i ati e priti krahëhapur dhe me lot gëzimi.
Në një histori tjetër, një burrë po udhëtonte nga Jeriko për në Jeruzalem, kur hajdutët e grabitën, e rrahën dhe e lanë për të vdekur. Pasi një prift dhe një Levit kaluan aty dhe nuk e ndihmuan, një Samaritan (popull i përbuzur nga Çifutët e kohës së Jezusit) pati mëshirë për burrin e gjorë dhe e solli në një han në qytetin tjetër, duke paguar madje gjithë shpenzimet derisa ai u shërua plotësisht.
Shëmbëlltyra e Djalit të Penduar dhe Samaritanit të Mirë janë disa nga më të mirat që Jezusi ka treguar, dhe të dyja përqëndrohen tek mirësia. Në të parën, e cila përshkruan një baba të dashur e zemërbutë, Jezusi përshkruante mirësinë e Zotit kundrejt nesh, një mirësi pa kushte që është rrënja e vërtetë e natyrës së Tij. Në të dytën, ai na urdhëronte të tregoheshim të mirë me të tjerët, edhe ata që s’na pëlqejnë apo që s’u pëlqejmë.
Shpesh, mund të duhet përpjekje për të qenë i mirë. Nuk na vjen natyrshëm siç i vjen Zotit, por shpërblimet janë të pakontestueshme. Siç thotë edhe shprehja, “Nëse do të jesh i mirë me të tjerët, ata do të jenë të mirë me ty.” Të njëjtën gjë konstatoi edhe Mbreti Solomon para 3,000 vjetësh: “Ata që janë të mëshirshëm, i bëjnë mirë vetes.” 1 Do të thoja që është vërtet premtuese.
- Fjalët e Urta 11:17 ↑