Vite më parë, u gjenda në një situatë pune të ndërlikuar dhe të pakëndshme me një nga bashkëpunëtorët e mi. Gjërat nuk u përmirësuan dhe unë u lehtësova kur u mënjanua. Pak kohë më vonë, mora një email të shkurtër nga ai me dy fjalë të thjeshta: “Të kërkoj ndjesë.”

Gjë e mirë! Mendova. Dashka të më kërkojë ndjesë. Kështu që po kërkoja shtojcën që do të kishte “ndjesën zyrtare”. Por s’kishte gjë. Prisja një ndjesë të shkruar, të detajuar të dhimbjeve të kokës, tensioneve dhe komplikimeve që ai kishte shkaktuar. E vetmja gjë që mora ishin ato dy fjalë “Të kërkoj falje”.

E dija që Zoti po më kërkonte ta falja dhe ta ktheja faqen. Ai e kishte bërë përpjekjen e tij sado të vogël për të kërkuar falje, dhe gjëja e duhur për t’u bërë ishte ta falja, por thellë brenda meje, nuk ndihesha në paqe. S’mund të ishte munduar pak më shumë për të kërkuar ndjesë siç duhet?

Por nuk kaloi shumë kohë para se të më duhej t’i kërkoja falje dikujt dhe nuk dija se si ta bëja. Të thosha arsyet e veprimeve të mia do të jepte përshtypjen se po justifikoja veten dhe kjo do ta bënte gjestin e kërkimit të faljes të mos dukej i sinqertë, plus që rrezikoja të filloja përsëri polemikat. Si përfundim, kopjova faljen që kisha marrë nga ish-bashkëpunëtori im dhe nuk ishte më pak e sinqertë se sa ishte e thjeshtë.

S’është e thjeshtë të kërkosh falje. Është e çuditshme dhe shumica prej nesh s’ka mjaftueshëm përvojë. Gary Chapman dhe Jennifer Thomas ndajnë disa këshilla shumë të vyera në librin e tyre, Kur Të Kërkosh Falje Nuk Mjafton. 1 Ata thonë se kur kërkojmë pajtim, çelësi… është të mësojmë gjuhën e faljes të personit tjetër dhe të jemi të gatshëm ta flasim atë. … Kur nuk arrini ta flisni gjuhën e tyre, kjo e bën më të vështirë faljen, pasi ata nuk janë të sigurt nëse po kërkoni falje vërtet.

Autorët e zbërthejnë këtë gjuhë në pesë kategori kryesore:

  • Të shprehësh keqardhje. Për disa njerëz është e mjaftueshme të thuash sinqerisht, “Më vjen keq.”
  • Të pranosh përgjegjësinë. Shmang justifikimet dhe prano, “E kisha gabim.”
  • Të kompensosh. Bëj më shumë se sa të kërkosh falje, për shembull, pyet, “Ç’mund të bëj për të ta kompensuar?”
  • Të pendohesh. Premto, “S’do ta bëj kurrë më.”
  • Të kërkosh falje. Trego ndjeshmëri duke pyetur me përulësi, “Të lutem, më fal.”

Unë mendoj se përulësia dhe sinqeriteti janë thelbësore për t’u shqetësuar vërtet për nevojat e personit të fyer dhe për të mësuar të dëgjosh dhembjet e tyre. Dhe nëse të dy palët janë të gatshme, çdo gjë e mrekullueshme mund të ndodhë në marrëdhënien e rikthyer.


  1. When Sorry Isn’t Enough: Making Things Right with Those You Love, Moody Publishers.