Ai na ngushëllon në të gjitha vështirësitë tona në mënyrë që edhe ne të mund të ngushëllojmë të tjerët. Kur ata ndodhen në vështirësi ne do t’i japim të njëjtin ngushëllim që na ka dhënë Zoti.—2 Korintasve 1:4
Nëse njerëzit tanë të dashur largohen prej nesh duke shkëputur çdo kontakt, ata na mungojnë, kemi shumë dëshirë të dimë se si janë dhe vuajmë nga mungesa e tyre. Por, sa më e dhimbshme është kur ata largohen përgjithmonë nga kjo botë?! Jeta ndryshon shumë dhe të vështirë e kanë edhe ata të cilët besojnë në jetën e përjetshme.
Nëse keni ndonjë mik apo koleg që po përjeton humbjen e një të afërmi, ndoshta ai është tërhequr nga jeta e përditshme për të gjetur kohë për t’i kujtuar, për të mbledhur foto, për të shkruar kujtimet e tyre apo për të ngritur një përkujtimore. Lotët janë pa dyshim pjesë e udhëtimit. Është normale të qash. Edhe Jezusi qante. 1 E gjithë kjo është pjesë e natyrshme dhe shëruese e dhimbjes.
Pranë lumenjve … atje rrinim e lotonim. Po, lotonim sa herë që kujtonim … Mbi shelgjet e kësaj toke, kishim varur harpat tona.—Psalmi 137:1–2
Vajtimi ka kohën e tij. 2 Le të shpresojmë se pavarësisht se “harpat” e tyre – këngët e besimit dhe haresë – janë përkohësisht të heshtura, ato nuk janë hedhur tutje. “Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen gëzimi.” 3
Kur e gjen vajtuesi forcën për t’u përballur sërish me jetën, për të marrë përsëri harpën dhe për të kënduar këngën besimi dhe gëzimi? Nuk ka afat kohor. Sa më e afërt të jetë marrëdhënia, aq më e madhe është agonia e humbjes. Një vdekje e papritur është më e vështirë për t’u përballur. Humbja për një prind—të varrosësh fëmijën tënd—njihet nga të gjithë si humbja më e madhe dhe më e rëndë. Duhet kohë për të kaluar dhimbjen e një përmase të tillë.
Zoti na ndihmoftë t’i gjendemi pranë atyre që janë të mbërthyer nga pikëllimi dhe t’i tregojmë solidaritetin tonë me një fjalë ngushëlluese, me një telefonatë, me një gatim në shtëpi. Mund t’i ndihmojmë të tjerët në dhimbjen e tyre duke iu sjellë ndërmend kujtime të bukura rreth të dashurve të tyre, duke kujtuar përvjetorët, ditëlindjet dhe festat që kanë shumë rëndësi për ta dhe duke gjetur kohën për t’i dëgjuar. Le t’u gjendemi pranë miqve tanë, ashtu siç është Zoti gjithmonë pranë nesh. 4