Të përshkruash Zotin është e vështirë. Ka shumë anë të personalitetit të Tij. Ai është shumë më i madh e shumë më i thellë nga sa mund ta mendojmë. Përveç kësaj, secli prej nesh kalon stade të ndryshme gjatë jetës dhe marrëdhënia jonë me Zotin ndryshon me kalimin e viteve.
Për shembull, vajza ime dy vjeçare, Audrey, e imagjinon Zotin si një njeri fisnik, miqësor me mjekër të bardhë e të gjatë që vështron gjithçka nga pas reve. Ndërsa Jezusi, shfaqet në librat e saj si një foshnje në djep ose si një bari që kujdeset për delet.
Është normale që fëmijët ta përshkruajnë Zotin kaq thjeshtë. Jezusi tha: “Lërini fëmijët të vijnë tek Unë. Mos i ndaloni! Sepse atyre u përket Mbretëria e Perëndisë.” 1 Sidoqoftë, po pres që Audrey të rritet aq sa të provojë shumë më tepër nga vetitë e Zotit, si mençurinë e Tij, 2 fuqinë e Tij për të shëruar, 3 mbështetjen e Tij, 4 ndihmën e Tij për probleme të ndryshme, 5 e kështu me rradhë.
Edhe pse askush prej nesh nuk mund ta kuptojë Zotin plotësisht, ne mund të shohim brenda Fjalës së Tij për ta njohur Atë më mirë. Dhe më e rëndësishmja, Bibla thotë se Zoti na do shumë të gjithëve, edhe pse i njeh të gjitha gabimet tona. Dashuria e Tij është e përhershme, pa kushte dhe e plotë. “Jam i bindur se as vdekja e as jeta, as engjëjt e as pushteti, as gjërat e tashme e as e ardhmja, as lartësia e as thellësia, asgjë tjetër në këtë botë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Zotit, e cila ndodhet te Jezu Krishti, Zoti ynë.” 6