Isha 21 vjeç, kur lexova Biblën për herë të parë. Dikush më kishte sugjeruar që së pari të lexoja Ungjillin e Gjonit, por unë dija aq pak për Biblën në atë kohë sa nuk kuptova që Ungjijtë ishin katër tregime të veçanta të jetës dhe shërbesës së Jezusit. Kështu që unë fillova në atë që dukej vendi më logjik, në fillim të Dhiatës së Re, me Ungjillin e Mateut.
Kur arrita te Ungjilli i Gjonit, isha i hipnotizuar me Jezusin. Ai e kishte përgjigjen e përsosur për çdo pyetje dhe gjithmonë dinte saktësisht se çfarë të bënte. Por më shumë se kaq, Ai dukej se më kuptonte dhe dinte saktësisht se çfarë më duhej. E kuptova që fjalët e Tij janë të fuqishme dhe të gjalla, Ai është i gjallë!
Fjalët e tij përshkuan gati 2 000 vjet dhe më prekën në një mënyrë që nuk e kisha provuar kurrë më parë. Kur më në fund arrita te Gjoni 15:15 “Unë nuk ju quaj më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk e di ç’bën i zoti; por unë ju kam quajtur miq, sepse ju bëra të njihni të gjitha gjëra që kam dëgjuar nga Ati im.” Ndjeva se Ai po fliste drejtpërdrejt me mua. Jezusi më thirri shokun e Vet! U emocionova aq shumë saqë nuk mund të rrija në vend. Doja t’ia tregoja të gjithë botës.
Unë isha lutur ta prisja Atë si Shpëtimtarin tim disa muaj më parë, por asgjë nuk ndryshoi shumë derisa fillova të lexoja fjalët e Tij me një zemër të hapur, pranuese. Fjalët e tij ishin të fuqishme dhe të gjalla dhe, mbi të gjitha, personale. Unë zbulova se Jezusi ende u flet drejtpërdrejt dhe personalisht zemrave të ndjekësve të Tij sot përmes Fjalës së Tij dhe ofron udhëzime për jetën tonë.