Në një pikë a në një tjetër të gjithë ne jemi të pakënaqur me veten apo rrethanat tona—dhe kjo nuk është domosdoshmërisht një gjë negative. Një sasi e caktuar pakënaqësie është e domosdoshme nëse duam të ecim përpara. Që të arrijmë maksimumin, duhet të ëndërrojmë atë ku duam të jemi. Problemi është se shumë prej nesh ndalen tek faza e ëndrrës. Pse mendoni se ndodh kështu?
Arsyeja kryesore është se shpesh mendojmë se nuk jemi në gjendje t’i kthejmë ëndrrat tona në realitet. Dhe zakonisht kemi të drejtë të mendojmë kështu. Mund të bëjmë disa ndryshime duke treguar një vullnet të fortë apo duke punuar shumë, si për shembull duke arritur një nivel të lartë shitjesh apo të arrijmë peshën e dëshiruar trupore. Por ç’mund të themi për ndryshime më të mëdha, ndryshime brenda nesh, ato që e dimë se do të na bënin shumë më të lumtur dhe do të na jepnin mundësinë të bënim diferencën në botën që na rrethon? Është ai ndryshim që ne e shohim zakonisht si të vështirë për t’u arritur.
Nuk jemi aq të zotë, i themi vetes. Kemi shumë të meta e bëjmë shumë gabime. Nuk e bëjmë dot!
Jezusi e përmblodhi shumë bukur kur tha: “Kjo për njerëzit është e pamundur, por jo për Zotin, sepse çdo gjë është e mundur me Zotin.” 1 Sekreti është që ta lëmë veten në dorën e Zotit dhe ta lejojmë Atë të bëjë të pamundurën për ne dhe nëpërmjet nesh, pavarësisht dobësive tona. Ne jemi të vegjël, të dobët dhe të paaftë, por ekziston një Zot shumë i madh, i fuqishëm dhe i aftë, që po pret të na ndihmojë.
Bëhuni si ai
Krishti në ju, shpresa e lavdisë.—Kolosianëve1:27
Sekreti i një Kristiani është se e mbinatyrshmja për të është bërë e natyrshme falë mirësisë së Zotit dhe kjo ndihet në çdo detaj të jetës së tij.—Oswald Chambers (1874–1917)
Të jesh si Jezusi. Ky është synimi ynë i qartë dhe i thjeshtë. Duket një objektiv i lehtë për t’u arritur, që të fal paqe dhe qetësi. Por ndaluni dhe mendoni për pak çaste. Ai mësoi të jetë i bindur nga ato që pësoi. Këtë duhet të bëjmë edhe ne. Nuk është e lehtë, as e shpejtë apo e natyrshme. Është e pamundur për njeriun, e ngadaltë në realizim dhe e mbinatyrshme për t’u zbatuar. Vetëm Krishti mund ta arrijë brenda nesh.—Chuck Swindoll (lindur v.1934)
Sepse Zoti është Ai që vepron në ju vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të Tij.—Filipianëve 2:13
- Marku 10:27 ↑