Një ditë të bukur, unë dhe gruaja ime nxorëm Kristenin, vajzën tonë 13 muajshe, në plazh. Ishte një mot i bukur, i përsosur. Teksa shëtisnim në rërë, duke mbajtur secili një dorë të vogël, ajo plot emocion buzëqeshi dhe bërbëliti me atë gjuhën e saj të veçantë dhe të enkriptuar.

Kur arritëm te uji dhe vala e parë e vogël që ra mbi këmbët e saj, shprehja e saj befas ndryshoi. Uji ishte dukshëm më i ftohtë se rëra, dhe e pasigurt se çfarë të bëjë, ajo qëndroi akoma derisa uji gërryente rëra nën këmbët e saj dhe ajo ra pëlltum në ujë. E ngritëm duke u qeshur dhe e përqafuam, më pas, pritëm valën tjetër.

Tani ajo filloi të përgatitej dhe u kthye të vraponte teksa uji afrohej. Këtu vura re diçka interesante. Kristen kthehej dhe vraponte drejt njërit prej nesh, përkundër faktit se ajo duhej të kalonte më shumë sipërfaqe me ujë për të arritur tek ne sesa thjesht të vraponte drejt  bregut. Edhe kur asaj i duhej të përballej me ujin që i arrinte mbi gju, ajo zgjidhte të vraponte drejt nesh, çka i dukej si lehtësim i menjëhershëm. Dhe ne i dilnim para në gjysmë të rrugës, duke u siguruar që ajo të ishte e sigurt.

Çfarë do ta tërhiqte një vajzë të vogël të përballte me guxim një dukuri më të madhe se ajo gjëja e vogël që e trembi, në vend që të zgjidhje rrugën “më të shpejtë dhe të thjeshtë” për të dalë nga rreziku? Them se është thjesht besimi. Ajo kishte besim që ne do të kujdeseshim për të, dhe të qenit me ne në mes të ujit të ftohtë ishte më mirë se sa të arrinte e vetme në breg.

Shpesh kur përballem me një problem, reagimi im i parë është paniku. Unë rri pa lëvizur teksa mendja ime analizon mundësitë dhe unë përfundoj duke u rrëzuar dhe duke dështuar. Më pas, herës tjetër kur të shoh një problem, me shumë gjasa, do të tundohem të vrapoj sa më shpejt të mundem, që të dal nga situata. Por siç e dini, situatat na arrijnë dhe na kapin prej këmbëve. Pra, cila është zgjidhja? Unë duhet të ndjek shembullin e vajzës sime dhe ta përball problemin me guxim. Kjo s’do të thotë të përballem i vetëm me të. Përkrah meje qëndron Shpëtimtari im i aftë dhe i fortë, dhe Ai më mbështet pavarësisht çdo “vale”. Duhet të heq dorë së u përpjekuri vetëm dhe të vrapoj drejt Tij!

Kur jam i pafuqishëm, mund të forcohem përmes forcës së Tij. 1 Jezusi është ende mjeshtri i erës, valëve dhe çdo elementi tjetër që rrethon jetët tona. 2 Pra, le të shkojmë menjëherë te Ai, kur shohim baticën të na afrohet. Ai nuk do të na lejojë të mërzitemi. 3


  1. Shih 2 Korintasve 12:10.
  2. Shih Luka 8:25.
  3. Shih Mateu 14:30–31.