Unë dhe bashkëshortja ime kemi pak kohë që jemi kthyer nga një udhëtim në Zvicër gjatë të cilit qëndruam me disa miq që jetojnë pranë një liqeni. Gjatë qëndrimit atje, shihja shpesh nga dritarja liqenin e bukur dhe malet rrethuese. Njëri prej maleve më binte shumë në sy për veçantinë e tij. Ai dukej si një shkëmb gjigand, dhe çdo mëngjes që hapnim dritaren, e shihja dhe mrekullohesha teksa lartësohej gjithë madhështi mbi liqen.

Sa herë që hyja e dilja në shtëpi, ndalesha për pak çaste të shijoja pamjet dhe peizazhet e bukura, dhe në fund nuk mund të mos e ndalja soditjen mbi malin. Për disa ditë, qielli ishte blu dhe i pastër, dhe mali dukej sikur mund ta kapje dhe ta prekje. Një ditë, gjysma e sipërme e malit ishte mbuluar nga retë, dhe e vetmja gjë që mund të shihej ishin pemët që ngriheshin deri te gjysma e malit, pjesa tjetër ishte e padukshme. Një mëngjes tjetër, për shkak të mjegullës, mali nuk mund të shihej fare.

Gjatë mëngjesit tonë të fundit në Zvicër, po mendoja për disa miq dhe eksperiencat e sfidat e ndryshme me të cilat ata ishin përballur. Njërit prej tyre iu desh të luftonte me një sëmundje të rëndë, kërcënuese për jetën, ditë pas dite, duke ndenjur për muaj të tërë në spital dhe pa ditur nëse do mund të shërohej ose jo. Një çift kishte gati disa plane që do t’i ndihmonin financiarisht, por që dështuan në momentin e fundit. Një tjetër shoqe, po transferonte familjen e saj në një shtet tjetër pa ditur të gjitha detajet se si do të shkonin gjërat me të mbërritur aty. Një çifti tjetër po i mbaronte misioni Kristian që kishin bërë prej vitesh dhe nuk dinin se çfarë Zoti donte që ata të bënin tani. Një burrë tjetër humbi punën në kohën kur ai dhe e shoqja po kalonin disa sëmundje në familje, dhe nuk kishte mundur ende të gjente një punë të re.

Ndërsa mendoja për këta miq të dashur dhe shumë të tjerë që përballen me pasiguri, më erdhi në mend ajo çfarë kisha vënë re teksa shihja malin gjatë ditëve të shkuara — se si gjatë disa ditëve mali ishte kaq i pastër dhe kaq i dukshëm, ndërsa ditët e tjera, disa pjesë të tij ishin të padukshme, dhe kur kishte mjegull nuk mund ta shija fare. Dhe prapë, pavarësisht nga koha, edhe kur nuk mund të shihej, mali ishte atje. Mjegull, re apo stuhi të tërbuara mund të të pengonin ta shihje, apo ta bënin të padukshëm, por ai qënronte sërish atje, i fortë dhe i patundur.

U shokova nga guximi i këtyre njerëzve dhe i shumë të tjerëve që përballen me pasiguritë e jetës me shumë besim, edhe kur prania e Zotit në jetët e tyre është më pak e dukshme. M’u kujtuan vargjet e biblës, “ne ecim nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet vizionit.” 1. E vërteta është se Zoti, ashtu si mali, me gjithë madhështinë e Tij, është gjithmonë aty. E shohim apo e ndjejmë Atë, nuk ka rëndësi për praninë e Tij aty. Gjatë gjithë stuhive të jetës sonë; gjatë momenteve të pasigurisë apo turbullirave, besimit të dobët, gjatë frikërave, paqartësive, dyshimeve, humbjeve, Ai ndodhet aty.

Ndonjëherë i kemi ditët të bukura, me diell, dhe bekimi i Zotit është shumë i dukshëm për ne. Në kohë të tjera, si atëherë kur maja e malit është e mbuluar nga retë, është paksa më e vështirë për ta parë apo ndjerë praninë e Tij; dhe në mjegullën e dendur të pasigurisë, dikush mund të mendojë se Ai nuk ndodhet aty. Por Ai është si mali; nuk ka ndryshuar asgjë nga ana e Tij. Ai është aty, i fortë, i patundur, gjithmonë i dashur, i përkujdesur dhe i pareshtur.

Duke parë këtë mal — këtë shkëmb gjigand që lartësohet mbi liqen — më erdhi ndërmend qëndrueshmëria e Zotit, siguria e pranisë dhe ndihmës së Tij, pavarësisht rrethanave. Ne mund të shqetësohemi apo të frikësohemi; mund të jemi dyshues apo të pasigurtë. Stuhitë që duket sikur na përpijnë, ndonjëherë mund të bëjnë të mendojmë se Ai nuk është aty, nuk na dëgjon, apo nuk  interesohet për ne. Por në të vërtetë prania e Zotit preket nga stuhitë, mjegulla dhe erërat e jetës po aq sa preket edhe mali nga këto dukuri natyrore, pra, aspak.

Zoti është aty, gjithmonë. Ai nuk do të na braktisë e as nuk do të largohet nga ne. 2 Besimi ynë mund të dështojë, por Ai nuk varet nga besimi ynë, sepse Ai është Shkëmbi, mali besnik, tek i Cili ne mund të mbështetemi. Gjithmonë.


  1. 2 Korintasve 5:7
  2. Shih Hebrenjtë 13:5