Para disa vitesh, një shoku im shumë i talentuar kaloi orë të panumërta duke ndërtuar në detaje skenën e mrekullueshme të Krishtlindjeve me brumë shumë të kripur. Qendra ishte kasollja e kafshëve, por skena shtrihej përtej saj, në Betlehem dhe fshatrat përreth.
Ndërtesat ishin të lyera, rrugët të shtruara me zhavorr të imët, nëpër kopshte dhe kodra kishte myshqe dhe fshati ishte plot jetë, me shtëpi, bujtina, dyqane, tenda dhe një mori njerëzish (dhe mace të hallakatura) që endeshin vërdallë.
Unë nuk do të mundja kurrë të ndërtoja diçka aq mbresëlënëse në një përmasë aq të vogël! Për të qenë i sinqertë, për mua do të ishte sforco e madhe të ndërtoja edhe një avion prej letre. Aftësitë gjeniale të mikut tim lidheshin me ndjenjat e tij altruiste, sepse në fillim të vitit ia dhuroi dikujt tjetër të gjithë setin.
U magjepsa sesi skena tregonte jo vetëm atë që po ndodhte në kasolle, por gjithashtu edhe atë që mund të ishte duke ndodhur në pjesën tjetër të qytetit atë natë. Ajo tregonte sesi, përveç barinjve që vështronin dhe dëgjonin korin e engjëjve duke kënduar dhe lavdëruar Zotin, shumica e njerëzve shikonin punën e tyre pa patur asnjë informacion rreth asaj që po ndodhte.
Në shumë aspekte, gjërat kështu funksionojnë edhe tani. Është e lehtë t’i kalojmë Krishtlindjet pa i jetuar deri në fund. Edhe kur i shijojmë pushimet dhe festimet, mund të ndodhë që të na kalojë pa u vënë re domethënia e vërtetë e atij sezoni.
Banorët e Betlehemit nuk kishin dijeni për atë gjë të mahnitëse që po ndodhte mes tyre natën e Krishtlindjeve dhe diçka e mrekullueshme mund të ndodhë edhe këtë sezon, për secilin prej nesh, nëse i hapim zemrat Jezusit. Mund të mos jetë diçka e madhe që bie në sy, madje nëse nuk tregohemi të vëmendshëm mund edhe të mos e vëmë re. Por, unë besoj se sezoni i Krishtlindjeve është magjik dhe po pres me padurim të shoh se çfarë ka rezervuar këtë rradhë. Shpresoj, edhe ju!
Gëzuar Krishtlindjet!