Kur isha i vogël, Jezusi ishte si Babagjyshi për mua. E dija që Ai mund ta shihte nëse po sillesha mirë apo keq. Nëse doja diçka, mund ta kërkoja nga Ai dhe sillesha shumë mirë me shpresën që ta merrja. Ashtu si mësuesit e mi të klasës dhe të shkollës së të dielës, Ai ishte dikush për ta dëgjuar dhe për t’iu bindur.
Kur u rrita, e kuptova se Ai ishte një Mik. E dija se çfarë më duhej mbi të gjitha ishte një mik që mund të më ndihmonte të përshtatesha në jetën time të re. Ai u bë Shpëtimtari im kur kuptova nevojën time për falje dhe e ftova Atë në zemrën time.
Kur isha adoleshent, Jezusi u bë i Besuari im. Ishte Ai të cilit mund t’i drejtohesha në kohë nevoje dhe gjithnjë dukej se më kuptonte. Kur humba rrugën, Ai ishte Ylli i Ndritshëm dhe i Mëngjesit dhe Drita që më tregoi rrugën e kthimit në jetën që Ai kishte përgatitur për mua.
Kur u bëra nënë, e njoha Atë si Shërues. Ai ishte Buka e Jetës kur ishim të uritur dhe shëroi zemrat tona kur ishim të trishtuar ose të munduar. Pastaj ndërsa fëmijët e mi rriteshin, Jezusi ishte një Këshilltar i mrekullueshëm mbi prindërimin.
Ai ishte gjithashtu Mentori im. Ai më ndihmoi të gjeja vendin tim dhe më udhëhoqi drejt synimeve dhe hobeve që më falën shumë kënaqësi. Kur u përballa me vështirësi, Ai ishte Çliruesi im, Avokati im dhe Mburoja ime.
Kur u pikëllova për humbjet, zbulova se Jezusi ishte Ngushëlluesi im. Humbja e atyre që doja më shtyu të zbuloja se Ai ishte Princi i Paqes. Kur humba babanë, fillova ta shoh rolin e Zotit si Atin tim qiellor, duke qenë aty për mua, duke më mbështetur, duke më inkurajuar dhe mbrojtur. Mund të drejtohem tek Ai përmes lutjes në çdo orë të ditës ose natës.
Kur shikoj pas në jetën time, udhëtimet e mia të shumta dhe rrugët që kam ndërmarrë, e kuptoj se Ai ka qenë atje gjatë gjithë kohës. Ai më udhëzoi si Bariu im i Mirë dhe më kërkoi kur isha e humbur apo e plagosur. Ai butësisht dhe me dashuri më mbajti në krahët e Tij kur nuk isha në gjendje të ecja vetë.
Tani e shoh si Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi, gjithmonë i pranishëm në jetën time nga kujtimet e mia më të hershme deri në frymën time të fundit. Atëherë unë do ta njoh Atë si Ringjalljen dhe jetën, Shëlbuesin tim.