Krishtlindjen e kaluar kisha disa muaj që kisha filluar një punë të re. Zyra ime e re ishte një orë larg shtëpisë sime. Punoja nga ora 2:00 pasdite deri në 11:00 të darkës, si dhe të shtunave. Isha gjithmonë e rraskapitur dhe e pa sinkronizuar me të gjithë në jetën time. Më duhet të punoja edhe në ditën e Krishtlindjes!

U ndjeva fajtore, sepse nuk isha në gjendje t’i kushtohesha familjes, kishës dhe komunitetit tim njësoj si zakonisht. Unë zakonisht planifikoj dhe mbaj disa projekte bamirësie / komuniteti, përfshihem në organizimet e Krishtlindjes së kishës sonë dhe bëj aktivitete të shumta “Krishtlindjeje” me familjen dhe miqtë. Por vitin e kaluar u ndjeva sikur isha në një univers paralel, një ku të gjithë po përjetonin një përvojë të Krishtlindjes dhe unë po kaloja një tjetër.

Jeni përballur ndonjëherë me një Krishtlindje që nuk dukej aspak si Krishtlindjet tuaja të kaluara? A jeni ndjerë edhe ju jashtë konteksti? Zakonisht, unë jam aq e përfshirë në të gjitha ngjarjet dhe aktivitetet mbështetëse, saqë ato përfundojnë duke qenë të papërballueshme. Pak a shumë si një fëmije i ikën oreksi duke ngrënë biskota me peshk të kuq para darkës, unë e mbush Krishtlindjen plot me aktivitete, deri në pikën që Jezusi mbetet si një mendim që duhet rishqyrtuar më vonë. Por jo vitin e kaluar. Viti i kaluar ishte një përmbysje. Nuk bëra asnjë dekorim. Nuk përgatita ushqime. Thuajse nuk bëra fare pazar. Nuk mirëprita njeri.

Por u luta shumë, pata shumë mendime për udhëtimin tim të gjatë, hoqa dorë nga shumë pritshmëri të sezonit. Jezusi lindi, ky është një fakt, pavarësisht se si jam në gjendje ta festoj atë. Kur engjëlli iu shfaq barinjve natën që lindi, ai tha: “Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin. Sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti. ”1

Edhe nëse 25 dhjetori duket ditë e zakonshme, atë ditë erdhi Jezusi. Shpëtimi dhe marrëdhënia me Të qasen lehtësisht. Prania e tij është e vërtetë çdo ditë.

Ndihem sikur Krishtlindjet e mia janë riorganizuar, një ndryshim përparësie që mund të mos kishte ardhur në ndonjë mënyrë tjetër. Sinqerisht, është shumë çliruese ta shikosh Krishtlindjen pa ndonjë pritje të traditave ose duke dashur që ato të përputhen ose të kalojnë Krishtlindjet e kaluara. Nuk ka nevojë për një akt mbështetës për ta bërë atë të lavdishme. Festoni aq shumë apo pak, sa doni. Asgjë nuk mund ta ndryshojë faktin që për ty (dhe mua) ka lindur një Shpëtimtar.


  1. Luka 2:10–11