Kur të keni shumë gjëra për të bërë, gjëja e fundit që mund të doni të bëni është të ngadalësoni gjërat e të meditoni, të largoni mendjen nga puna që keni në dorë e të mendoni për Jezusin. Edhe nëse e provoni, shpesh mund t’ju duket se “të çlodhesh me Jezusin” është e lehtë të thuhet por jo të bëhet. Por Ai na thotë: “Ejani tek Unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe Unë do t’ju jap çlodhje. … Mësoni nga Unë, sepse jam zemërbutë e i përulur nga zemra. Kështu do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.” 1
Si mund të “çlodhesh me Jezusin”? Kjo do të thotë që të besoni se sapo shkoni tek Ai dhe i kërkoni zgjidhje për problemet tuaja apo t’ju ndihmojë me punën që keni në dorë, Ai do e bëjë. Kjo do të thotë të besoni se Ai do t’ju tregojë se çfarë duhet të bëni në një situatë të vështirë. Të besoni që Ai do t’ju japë mundësinë të bëni aq sa mundeni dhe që Ai do të bëjë atë që ju nuk mundeni. Do të thotë të tërhiqesh nga problemet apo punët, të largohesh nga bota që të rrethon e të lësh shpirtin tënd të forcohet përmes lidhjes shpirtërore me Jezusin.
Me pak fjalë, të çlodhesh me Jezusin do të thotë t’ia lësh në dorë Atij çdo shqetësim dhe të kesh besim tek Ai për zgjidhjen. Nëse duam rezultatet më të mira, koha që kalojmë me Jezusin duke u lutur dhe komunikuar me Të, nuk mund të jetë e shpejtë, sipërfaqësore dhe sa për të kaluar kohën ndërkohë që mendja jonë është plot me punët që duhet të bëjmë atë ditë. Duhet të gjejmë kohë për t’u lidhur me Të, t’i hapim zemrën, të qartësojmë mendjen e të qetësojmë shpirtin.
Koha që kalon me Jezusin është pjesa më e rëndësishme e ditës. Nëse mësohesh t’i japësh prioritetin e duhur, Ai do t’ju shoqërojë gjatë gjithë ditës duke ju udhëhequr dhe ndihmuar.
Bibla thotë: “Le të përpiqemi pra, të hyjmë në atë prehje/çlodhje.” 2 Duket paksa paradoksale—të përpiqesh për të pushuar—por duhet shumë përpjekje për t’u tërhequr nga punët e përditshme. Koncepti i çlodhjes me Jezusin nuk është i komplikuar, por për ta bërë këtë—të lësh pas sjelljen e vjetër—duhet punë dhe mund të jetë e vështirë në fillim. Por sapo të mësoheni, do kurseni shumë kohë, përpjekje dhe do keni më pak stress, saqë do të pyesni veten se si ja keni bërë më parë pa të.