Të jesh i shëndetshëm nuk ndodh rastësisht. Duhen bërë përpjekje, sakrifica, duhen rioarganizuar prioritetet dhe duhet të hiqet dorë nga disa gjëra që japin kënaqësi, por që nuk na bëjnë mirë. Një kujdes afatgjatë shëndetësor është një investim për gjithë jetën, por një investim i mençur. Më mirë të investojmë nga pak çdo ditë për të forcuar trupin tonë, sesa ta neglizhojmë dhe të vuajmë nga probleme shëndetësore.
Për shëndetin, si për shumë gjëra të tjera në jetë, Zoti nuk mund të bëjë për ne atë që mund ta bëjmë ne për veten. Ai pret që ne të kujdesemi për trupin tonë dhe shpesh Ai nuk mund t’i shmangë pasojat negative kur ne e kemi pasur mundësinë të zgjidhnim një rrugë më të shëndetshme, po nuk e kemi bërë atë.
Rregullat bazë
Fatmirësisht, Zoti na ka dhënë disa rregulla shumë të thjeshta për të qenë të shëndetshëm. Këto klasifikohen në tre kategori: shpirtërore, emocionale dhe fizike. Sekreti i aspektit shpirtëror është qëndrimi pranë Zotit, për të gjetur dhe ndjekur planin që Ai ka për jetën tonë sa të mundemi. Aspekti emocional lidhet me mbajtjen e një qëndrimi pozitiv ndaj çdo gjëje, gjë që pakëson stresin, shqetësimin, frikën dhe të tjera emocione negative që kanë kosto për shëndetin dhe lumturinë tonë. Aspekti fizik shpjegohet me tre shtyllat e shëndetit fizik për të cilat flasin ekspertët e shëndetit: “Të hamë si duhet, të flemë si duhet, dhë të stërvitemi si duhet”.
“Ha si duhet” lidhet me disa udhëzime të thjeshta – të thjeshta, por jo gjithmonë të lehta. Të ndryshosh një ushqyerje të varfër duhet vullnet dhe organizim, por me siguri do të habiteni se sa shpejt do të mësoheni të hani gjërat e duhura dhe sa shpejt do hiqni dorë nga dëshira për ushqime jo të shëndetshme.
“Fli si duhet” duket shumë e thjeshtë, por shumë njerëz kanë mungesë gjumi. Është e vërtetë se disa njerëz kanë nevojë për më pak gjumë se të tjerët, por presioni i jetës moderne na shtyn të bëjmë më tepër gjatë ditës duke fjetur më pak se sa ka nevojë trupi ynë për të qenë në formën më të mirë shëndetësore. Kjo do të thotë që mendojmë për momentin, sepse ne mund të jemi shumë më produktivë në orët e zgjimit, nëse kemi pushuar sa duhet.
Njerëzit që nuk e kanë zakon të stërviten rregullisht, e lënë shumë pas dore stërvitjen. Është shumë e vështirë të refuzosh gjumin, sepse efektet e pagjumësisë ndihen menjëherë. Nga ana tjetër, ashtu si efektet e një diete të varfër, rezultatet e mosstërvitjes mund të shfaqen ngadalë. Stërvitja ndihmon trupin tonë të pastrohet dhe të rikuperohet. Ajo gjithashtu forcon muskujt, kockat, dhe organet e brendshme, rrit sistemin tonë imunitar, dhe na ndihmon të ruajmë një peshë të kënaqshme. Është vështirë të gjesh një qelizë në trup që nuk përfiton nga stërvitja e duhur trupore.
Program vetjak
Rregullat bazë janë të përgjithshme, por për shkak të moshës, trupit dhe preferencave vetjake ato ndryshojnë. Ajo çka është më e mirë ndryshon nga një person në tjetrin. Nevojat e njerëzve ndryshojnë me kalimin e kohës dhe ndikimin e faktorëve të tjerë. Pra, nga ta dini se cila është gjëja e duhur për ju? Shumë “autoritete” ofrojnë informacione dhe këshilla kontradiktore, dhe ndonjëherë ka ndodhur që një dietë e caktuar ose ushtrim është duartrokitur fort për një farë kohe, por më pas është përfolur si jo i/e mirë. Programin e kujt ndiqni? Vetëm Krijuesi juaj e di se çfarë është më e mira për ju, dhe Ai do të punojë bashkë me ju për të pasur një shëndet të mirë.
Pse nuk i kërkoni Atij t’ju tregojë ndryshimet që duhet të bëni në dietë apo ushtrime? Një nga gjërat që do ju thotë është nëpërmjet reagimit të trupit tuaj. Për shembull, ajo dhimbja që shtohet çdo ditë mund të jetë një shenjë që ju tregon se po e tejkaloni ose se nuk po bëni ushtrimet siç duhen.
Të qëndrosh në formë është mënyrë jetese
Qëllimi është që të ndjekim dietën, gjumin dhe stërvitjen e duhur gjatë gjithë jetës, jo vetëm për disa ditë apo disa javë derisa të na hollohet beli apo të na zvogëlohen masat e rrobave. Nëse nuk korrigjojmë sjelljen që na dha kilet e tepërta, ato do të kthehen sërish. Prandaj dietat dhe programet e ushtrimeve që premtojnë rezultate të shpejta nuk janë të suksesshme: Ato përqëndrohen në rezultate afatshkurtra. Ndonjëherë ja vlen të zbatosh një program afatshkurtër për të qenë më i shëndetshëm ose për të humbur peshë, por pastaj duhet të krijoni një sjellje të re dhe aftgjatë shëndetësore, nëse doni t’i ruani rezultatet e arritura.
Nëse vërtetë doni të jetoni më shëndetshëm, pyetjet e para që duhet t’i bëni vetes janë: ”Si ta bëj gjumin, ushqyerjen dhe stërvitjen e duhur rregull të ditës sime?” “Çfarë duhet të ndryshoj në kokën time dhe mënyrën e jetesës?” dhe, “Cili program shëndetësor në veçanti, është më i miri për mua?”
Të zëvendësosh një ushqyerje të varfër me një më të pasur duhet vullnet, studim dhe organizim në fillim, por shpërblimi që merr justifikon gjithçka; Ne ndihemi aq mirë saqë duam të vazhdojmë t’i bëjmë ato gjëra që na bëjnë të ndihemi kështu.