Një nga tregimet e mia të preferuara të Biblës ka qenë si dritë orientuese për mua kur fillova të punoj si vullnetare në vende të huaja në 1978-ën. Gjatë viteve në vazhdim më ka shërbyer si premtim dhe si shtysë që nuk mund ta shpërfillja.

Ja si fillon historia: Zoti kishte dërguar një thatësirë si ndëshkim ndaj Izraelit për ligësitë e tij, dhe përroi aty afër ku ishte vendosur profeti Elija, u tha. Po ashtu i mbaruan edhe ushqimet. Zoti i tha që të udhëtonte drejt një qyteti të quajtur Sarepta ku ai do të takonte një vejushë zemërmirë që besonte te Zoti dhe që do të kujdesej për të gjatë misionit të tij.

Duke iu afruar qytetit, Elija takoi një grua që mblidhte shkopinj pranë portës së qytetit dhe e parandjeu se ishte ajo për të cilën Zoti i kishte folur. I lodhur dhe i uritur, ai kërkoi pak ujë dhe bukë.

Ajo e vështroi ngultas me mosbesim dhe i tha se nuk i kishte mbetur aspak bukë, vetëm pak miell dhe vaj sa për të bërë një bukë për vete dhe djalin e saj. Dhe ky do të ishte vakti i tyre i fundit para se të vdisnin urie.

Atëherë Elija i kërkoi asaj diçka të pamundur. “Në fillim, bëj një kulaç për mua dhe pastaj për djalin dhe veten tënde.” Ai e siguroi se Zoti do ta bekonte për këtë vepër sakrifikice dhe altruiste: “Ena e miellit nuk do të mbarojë dhe qypi i vajit nuk do të pakësohet deri ditën, që Zoti të dërgojë shiun mbi tokë!” 1 Vejusha veproi siç i kërkoi Elija dhe pa dyshim Bibla tregon se nga ai moment, vaji dhe mielli i saj nuk mbaruan kurrë dhe ajo pati ushqim të mjaftueshëm për vete dhe djalin e saj për sa kohë pati zi buke. Zoti e mbajti premtimin. 2

Duke menduar për vitet e shumta që kam kaluar si vullnetare me një buxhet të kufizuar, më kujtohet një histori e ngjashme. Me duket sikur çdo ditë marrim kërkesa për ndihmë. Ndonjëherë është një nënë e vetme e papunë dhe fëmijët e saj ose një grup të varfërish të moshuar që takojmë gjatë një misioni në zonat rurale, apo një i panjohur që është grabitur dhe ka ngelur në rrugë, jetimë të uritur që mbijetojnë me vështirësi në institucione me fonde minimale, një fqinj që i kanë mbaruar ushqimet e kështu me rradhë.

Në Kenia, çdo ditë përballesh me situata të tilla, ku njerëzit kanë nevojë për ndihmë, madje edhe kur je vetë në pikë të hallit. Me 7 fëmijë që kisha për të rritur, shpesh mendoja se isha e justifikuar nëse nuk jepja. Por pastaj ndjeja zërin e Zotit në zemër që më shtynte të ndihmoja të tjerët dhe për të përmbushur nevojat e tyre.

Deri më sot, edhe pse kanë kaluar më shumë se 35 vite duke dhënë, akoma kemi mjaftueshëm. Qilari ynë është si ena me miell e vejushës që nuk është boshatisur kurrë, dhe serbratori i makinës nuk ka shteruar kurrë. Ajo që është dhënë është kompesuar me rimbushje, pastaj kjo nis e derdhet dhe ne vazhdojmë të japim, dhe rimbushemi sërish me mirësinë e Zotit si një cikël që nuk mbyllet kurrë.


  1. 1 Mbretërit 17:14
  2. Shih 1 Mbretërit 17:7-16.