Sa bukur është të mendosh për grazhdin, engjëjt dhe për atë natë kur Jezusi erdhi në tokë. Janë mendime që kalojnë në mendjen tonë për disa javë gjatë sezonit të Krishtlindjeve, por që duhet t’i mbartim me vete herë pas here edhe gjatë gjithë vitit.
Por ajo ishte vetëm një pjesë e vogël e një tablo shumë më të madhe. Jezusi nuk zbriti në tokë në mënyrë që engjëjt të brohorisnin për të. Ajo ishte pikënisja e madhështisë së përjetësisë. Që nga ajo kohë kur Jezusi jetoi në tokë për disa vite, Ai dhe Fryma e Shenjtë kanë qenë gjithmonë pranë atyre që kanë dashur të jenë afër Tij; Ai është përpjekur shumë, ditë e natë, duke ju përgjigjur thirrjeve të zemrave tona.
Zoti nuk e humb kurrë durimin, kur ne ngecim në problemet tona. Ai njeh çdo detaj të jetës tënde dhe time. Ai na përkushtohet gjithmonë dhe do të jetë pranë nesh për një kohë të gjatë.
Një nga dhuratat më të mira që ne mund t’i bëjmë Jezusit si shpërblim për atë që Ai ka bërë për ne, është të përhapim lajmin e Tij të shpëtimit tek ata që janë të përhumbur në problemet e tyre. Ne mund ta parashikojmë gëzimin e Parajsës dhe të ndjejmë mbështetjen dhe ndihmën e Frymës së Tij të Shenjtë në kohë të vështira, por disa të tjerë nuk e njohin dashurinë e pafund të Zotit dhe nuk ndjehen të sigurt në të, por përballen me probleme pafund për të gjetur një motiv dhe për të kuptuar se kjo jetë vlen të jetohet.
Edhe pse ndihma që mund t’u japim të tjerëve të gjejnë dashurinë e mrekullueshme të Zotit mund të na duket e vogël krahasuar me nevojat e tyre, rezultatet e saj mund të kapërcejnë atë ç’ka kishim menduar. Sepse mbi të gjitha, pjesë e mrekullisë së Krishtlindjeve është madhësia e rezultatit që sollën këto fillime të vogla. Ajo që filloi me një foshnje të vockël, në një grazhd të vockël, në një qytet të vockël e në një vend të vockël, u bë një dhuratë e madhe dhe e pafundme për një numër të pafund njerëzish për një kohë shumë të gjatë.
Zoti na dedikoi veten e Tij deri në fund dhe pa kufizime. Çdokush që i hap zemrën është e sigurt se do të gjejë gjithmonë siguri në krahët e Atij që ofron dashuri pa kufi. Papritur, edhe qiejt e mbushur me engjëj të asaj nate duken shumë të vegjël krahasuar me mrekullinë të cilën vetë Zoti erdhi të na e dorëzonte në tokë, për ty dhe për mua.