Po përballeni me një projekt madhor apo me një sfidë? Ju me siguri e dini se ku doni të shkoni, por ju duhet një strategji, një plan i hapave që duhen ndjekur për të arritur atë objektiv.
Planifikimi është investim. Të planifikosh mirë dhe me mençuri duhet kohë, përpjekje, durim, kërkime dhe këshillime — dhe për ata si ne që i japin edhe përmasa shpirtërore, duhet edhe kohë lutjeje — por një plan i bërë mirë të shpërblen shumëfish.
Ka shumë mënyra për të krijuar një strategji, por ka disa parime që janë provuar dhe kanë dhënë rezultat.
1. Përcakto objektivat e tua afatgjata.
Çfarë shpresoni të arrini saktësisht? Përkufizoni çdo objektiv me terma konkretë dhe të saktë. Për të rritur shanset e suksesit, përqëndroni vëmendjen në disa objektiva kryesore. Mund të shtoni të tjera apo të bëni ndryshime më vonë sipas mundësive të lejuara.
2. Vendosni objektiva afatshkurtra për të arritur objektivat tuaja afatgjata.
Për të arritur objektivat afatgjata, duhet shtruar rruga që të çon tek ato. Kjo mund të bëhet duke përcaktuar objektiva të vogla që ju çojnë më afër destinacionit final. Këto objektiva duhet të jenë të qarta, të matshme dhe të detajohen e specifikohen sa më shumë të jetë e mundur.
Për të arritur objektiva të mëdha duhet kohë. Duke pasur një sërë objektivash të vogla ju ndihmon të jeni të motivuar, sepse ashtu do të mund të prekni progresin e tyre. Dhe çdo herë që realizoni një nga ojektivat e vogla, do të jeni më afër objektivave tuaja afatgjata.
3. Identifikoni pengesat.
Me të përcaktuar objektivat tuaja afatgjata dhe synimet afatshkurtra, shikoni çdo pengesë që keni përpara në rrugën tuaj të arritjes së rezultateve që kërkoni. Nëse jeni vigjilent ndaj problemeve të mundshme, mund t’i parandaloni duke kërkuar zgjidhje të mundshme.
4. Formuloni një strategji.
Pasi keni përcaktuar objektivat tuaja afatgjata dhe synimet afatshkurtra, është e nevojshme të kesh një plan që përfshin detyrat e veçanta që do t’ju ndihmojnë të përmbushni secilin nga synimet e vogla. Plani duhet të jetë realist. Një plan shumë i madh mund të jetë mbresëlënës, por nëse është shumë i komplikuar apo i vështirë për t’u zbatuar, nuk do të vihet në jetë asnjëherë.
Nëse projekti juaj përfshin punën në grup, ndani detyrat specifike të atyre që do të përfshihen. Përcaktoni kush do të jetë përgjegjës për secilin hap dhe afatin kohor të përfundimit të tij. Përgjegjshmëria është jetike për suksesin.
5. Kërkoni mbrojtje te Zoti.
Pasi të keni kaluar hapat e mësipërme, kërkojini Zotit t’ju konfirmojë që jeni në drejtimin e duhur, që keni zgjedhur prioritetet e duhura, që nuk keni anashkaluar gjëra të rëndësishme, dhe se objektivat tuaja afatshkurtra dhe afatgjata janë realiste. “Mos u mbështet në mençurinë tënde; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe Ai do të t’i drejtojë hapat e tua.”[1. Fjalët e urta 3:5-6. Shih gjithashtu edhe Fjalët e urta 16:9.]
6. Dokumentoni planin.
Një plan i shkruar qartë ju ndihmon të mos harroni detaje ose të lini gjëra pa bërë. Një dokumentim i mirë është thelbësor për të patur një vijimësi logjike, përgjegjshmëri dhe për të vlerësuar ecurinë. Shumë njerëz e shohin të nevojshme të mbajnë një ditar mbi projektin.
7. Zbatojeni!
Risku më i zakonshëm i planifikimit është dështimi në zbatimin e tij. Njerëzit investojnë për të bërë një plan të mirë, dhe synojnë ta vënë atë në zbatim. Por ndodhin gjëra, jeta është e ngarkuar dhe ata nuk e ndjekin më deri në fund.
8] Lutuni për të.
Kërkojini ndihmë Zotit për të realizuar projektin tuaj. “Kërkoni dhe do t’ju jepet.”[2. Mateu 7:7. Shih gjithashtu edhe Gjoni 5:14-15.]
9. Kontrolloni ecurinë.
Kontrolloni ecurinë hap pas hapi. Sigurohuni që detyrat po kryhen brenda afatit të përcaktuar dhe se po bëhen në përmbushje me synimet tuaja afatshkurtra. Nëse nuk ndaleni rregullisht për të kontrolluar “grafikun” tuaj dhe të shihni se ku jeni, vështirë se do të qëndroni në rrugën drejt suksesit.
10. Përgatituni për të papriturat.
Tregohuni elastikë. Gjërat nuk ndodhin gjithmonë siç i kemi parashikuar. Ndërsa kontrolloni ecurinë, përgatituni për rrethana të reja që mund të krijohen rrugës dhe përshtatuni me to. Nëse del diçka që e bën të pamundur kryerjen e një detyre siç kishit shpresuar, kërkoni alternativa të reja. Nëse diçka nuk funksionon, ndryshojeni. Ndiqni planin tuaj të përgjithshëm, por lini hapësira për ta ndryshuar sadopak atë.
11. Ruani thjeshtësinë.
Kur planifikoni diçka, në fillim duket shumë e thjeshtë. Por duke ecur më tej, projekti zhvillohet — ndoshta sepse shtoni ide të reja ose sepse gjërat mund të jenë më të komplikuara nga sa kishit menduar — ose shpesh të dyja bashkë. Kuptojeni kur plani juaj po mbingarkohet, dhe përcaktoni çfarë është e nevojshme dhe çfarë jo. Tregohuni të gatshëm ta reduktoni dhe të hiqni pjesët që janë të vështira për t’u realizuar.
12. Festoni suksesin tuaj.
Mos prisni derisa të përmbushni objektivat afatgjata për të festuar; përmbushja e objektivave afatshkurtra sjell kënaqësi dhe emocion.