Dikur jetoja mes gjelbërimit të harlisur të pyjeve tropikale në Ugandë, Afrikë. Por kur u vendosa në Lindjen e Mesme, u përballa me një realitet krejt ndryshe, një peizazh shkëmbor, me nuanca të ndryshme të së njëjtës ngjyrë toke, saqë më tha dikush se disa filma të famshëm fantastiko-shkencorë ishin xhiruar këtu për shkak të ngjashmërisë së terrenit me atë të Marsit. E megjithatë, pavarësisht vetmisë së tij të ashpër, dheu i shkretëtirës ka një bukuri të veçantë.
Diçka që shkretëtira të mëson është të vlerësosh çdo gjë të gjelbër. Këtu, madje edhe barërat e këqija nuk priten, për sa kohë që nuk dëmtojnë bimët e tjera, çdo gjë e gjelbër është një bekim mes qindra nuancave të kafes.
Disa javë pas mbërritjes sonë, na ftuan në një kamp beduin për të shpërndarë ndihma. Pasi takuam këta njerëz zemërgjerë dhe të aftë për të mbijetuar në kushtet më të vështira, patëm mundësinë të shëtisnim nëpër kodrinat përreth. Ndërsa eksploroja këtë mjedis shkëmbor, vëmendjen ma tërhoqën disa pemë dushku që kishin mbirë në mënyrë krejt të pazakontë midis gurëve, duke u përkulur në kënde të çuditshme.
Ishte një mrekulli e natyrës, këta dushqe mbijetonin, madje lulëzonin, pavarësisht shiut të rrallë që binte vetëm disa ditë në vit. Po si ia dilnin? Sekreti i tyre ishin rrënjët e thella dhe të gjera që depërtonin në thellësitë e shkëmbinjve në kërkim të ujit dhe ushqyesve.
Dhe më vonë mësova diçka edhe më interesante, këto pemë nuk janë thjesht simbol i qëndrueshmërisë, por gjithashtu krijojnë jetë përreth tyre. Lulet dhe frutat e dushqeve ushqejnë specie të shumta të jetës së egër, ofrojnë hije dhe mbrojtje nga erërat e forta dhe ndihmojnë në frenimin e erozionit të tokës.
Pavarësisht nga thatësira, zjarret natyrore apo kafshët që mund t’i kullosin deri në rrënjë, këto pemë e gjejnë gjithmonë forcën për të mbirë sërish. Edhe pse rriten në tokë të varfër me gurë gëlqerorë të thatë, ato prapë arrijnë të lulëzojnë.
Teksa qëndroja në heshtje pranë njërit prej këtyre drurëve të fortë, një fëshfërimë e lehtë sikur më pëshpëriti në zemër:
“Ji si dushku. Sill pak gjelbërim në këtë botë të shkretuar. Por për ta bërë këtë, duhet të lesh rrënjët e tua të rriten thellë!”