Nga Curtis Peter van Gorder
Unë dhe gruaja ime pamë një herë një produksion gjerman të Një këngë Krishtlindjeje (A Christmas Carol), nga Charles Dickens. Ju me shumë gjasa, e dini historinë e një bankieri koprrac, i cili shndërrohet në një njeri të sjellshëm dhe bujar përmes fuqive misterioze të tre fantazmave që e çojnë atë në një udhëtim nëpër të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e tij. Unë u mahnita nga ndikimi që produksioni skenik pati tek unë dhe tek publiku.
Historia lindi nga dëshira e Dikensit për t’i ndërgjegjësuar njerëzit për kushtet e tmerrshme të punëtorëve në Angli në atë kohë. Duke qenë se ishte rritur në varfëri dhe duke punuar në një fabrikë 12 orë në ditë kur ishte fëmijë, ai ndjeu vuajtjen e tyre dhe shpresonte se kjo histori do të bënte një ndryshim për mirë, në jetën e tyre. Dickens e shkroi novelën në gjashtë javë dhe ajo u bë një hit i menjëhershëm dhe i qëndrueshëm.
Ruth Glancy, një profesoreshë e letërsisë angleze, deklaroi se ndikimi më i madh i Një këngë Krishtlindjeje (A Christmas Carol) ishte mënyra se si i frymëzoi lexuesit individualë për të ndihmuar nevojtarët. Falë, pjesërisht kësaj historie, organizimi i darkave të Krishtlindjeve për të varfërit u bë traditë. Në vitin 1867, një biznesmen amerikan u prek aq shumë nga një lexim, saqë e mbylli fabrikën e tij në ditën e Krishtlindjes dhe i dërgoi çdo punonjësi nga një gjel deti. Në fillim të viteve 1900, mbretëresha e Norvegjisë u dërgoi dhurata fëmijëve të gjymtuar të Londrës me firmën “Me dashuri nga Timi i Vogël”. Autori GK Chesterton shkroi, “Bukuria dhe bekimi i historisë… qëndrojnë në furrën e madhe të lumturisë së vërtetë, që shkëlqen përmes personazhit të mjerë Skruxh dhe gjithçkaje rreth tij. … Pavarësisht nëse vizionet e Krishtlindjes do të ndikonin apo jo te Skruxhi, ato ndikojnë tek ne.”
Kohët e fundit kam lexuar për një histori transformimi të Krishtlindjes që është paralele me atë të Një këngë Krishtlindjeje (A Christmas Carol). Bëhet fjalë për një bankier të quajtur George Mason, i cili u mbyll gabimisht në kasafortën e bankës së tij në prag të Krishtlindjes. Kur më në fund doli jashtë dy ditë më vonë, kuptoi se askush nuk ia kishte ndier mungesën. Për fat të mirë, ai kishte reflektuar për jetën e tij dhe kishte vendosur të bënte ndryshime pozitive. Brenda kasafortës së tij është një kartolinë e shkruar me dorë ku shkruhet: “T’i duash njerëzit, të jesh i domosdoshëm diku, ky është qëllimi i jetës. Ky është sekreti i lumturisë.”
Ne nuk kemi pse të na vizitojnë fantazmat ose të mbyllemi brenda një kasafortë bankare për të kuptuar kuptimin e vërtetë të Krishtlindjes. Zoti e deshi aq shumë botën, saqë dërgoi Jezusin, Birin e Tij të vetëmlindur, në atë Krishtlindje të parë, për të na shëlbuar nga vdekja dhe për të na dhënë jetën e përjetshme. Le të ndajmë dashurinë që kemi marrë me të tjerët këtë sezon Krishtlindje.