Unë jam nga natyra meraklie, pothuajse e preokupuar vazhdimisht me një shqetësim ose një tjetër.

Jam gjithashtu një person që bëj shumë detyra njëkohësisht. Mund të bëj pothuajse gjithçka dhe të shqetësohem në të njëjtën kohë. Për shembull, këtë mëngjes po përpiqesha të shijoja kohën time të përditshme të relaksit, duke lexuar disa faqe me material përkushtues dhe duke reflektuar mbi të (them “përpiqesha”, sepse në të njëjtën kohë isha duke u shqetësuar për punën e javës që më priste, problemet e vazhdueshme shëndetësore dhe një udhëtim të ardhshëm) kur kjo fjali ra në sy nga faqja: “Në Bibël, këshillimi ‘mos u frikëso’ përdoret më shumë se 100 herë.” Unë mendoj se Zoti e dinte prirjen tonë për t’u shqetësuar dhe frikësuar.

Si fëmijë, ne kemi frikë nga errësira, përbindëshi nën krevat dhe dentisti.

Disa vjet më vonë ne mësojmë se përbindëshi nuk ekziston dhe dentisti e di se çfarë po bën, kështu që atëherë kemi frikë nga personat arrogantë në shkollë, të turpërohemi para miqve tanë, apo edhe të marrim një notë të dobët në provimin e të martës në matematikë.

Disa vite të tjera kalojnë dhe ne kemi frikë nga puçrrat dhe telat e dhëmbëve, dhe se mos nuk jemi mjaftueshëm të njohur.

Shumë shpejt kemi frikë nga puna e parë dhe shqetësohemi për të ardhmen dhe atë që do të bëhemi. Kemi frikë nga dështimi akademik dhe dështimi në marrëdhënie. Kemi frikë të zhgënjejmë familjen dhe miqtë. Kemi frikë nga dështimi ekonomik, kemi frikë për lumturinë dhe mirëqenien e fëmijëve tanë, dhe kemi frikë nga sëmundjet dhe vdekja.

Ne tejkalojmë frikën, por kurrë nuk duket se e tejkalojmë të pasurit frikë.

Gjithashtu nuk na ndihmon fakti që këto ditë duket se kemi gjithnjë e më shumë frikë. Thjesht lexoni ose shikoni lajmet dhe do ta kuptoni se për çfarë po flas: lufta, krimi, terrorizmi, llojet e reja të sëmundjeve vdekjeprurëse, fatkeqësitë natyrore dhe ato të shkaktuara nga njeriu, dhe natyrisht gjendja e ekonomisë botërore dhe pasojat që sjell ajo.

Në Bibël, Zoti ka një përgjigje për secilën nga këto frikëra:

“Probleme në punë? Kolegët e këqij që kërcënojnë t’ju shkaktojnë telashe? Mos u shqetësoni! Vendoseni vullnetin tuaj në dorën Time dhe unë do të kujdesem për problemin!”1

“Jeni të shqetësuar për luftën dhe terrorizmin? Mos kini frikë! Më beso mua jetën tënde dhe familjen tënde, dhe unë do të kujdesem për ty. ”2

“Keni frikë nga fatkeqësitë natyrore? Jeni të shqetësuar për tërmetet, cunamit ose uraganet? Mos kini! T’i mbuloj krahët unë. Kjo është polica më e mirë e sigurimit që mund të kërkoni!”3

“A vuani fizikisht, apo ndoshta po luftoni një sëmundje që ju kërcënon jetën? Mos kini frikë. Unë do të jem me ju gjatë rrugëtimit, për t’ju ngushëlluar dhe për t’ju mbajtur dorën.”4

“A jeni akuzuar gabimisht dhe për këtë arsye shqetësoheni për të shpëtuar reputacionin dhe të ardhmen tuaj? Mos u shqetësoni! Unë e di të vërtetën dhe do të sigurohem që ajo të dalë në dritë.”5

“Mund të jetë një botë e frikshme atje jashtë! Ndoshta ju jetoni në një zonë të rrezikshme dhe ndonjëherë kjo gjë ju shqetëson. Mos kini frikë. Kur unë kujdesem për zogjtë dhe lulet, çfarë ju bën të mendoni se nuk do të kujdesem për ju?”6

“E shoh që ju jeni shqetësuar se si të siguroni jetën për familjen tuaj. Ka qenë e vështirë të mbijetoni dhe faturat po grumbullohen. Mos kini frikë. Bota dhe gjithçka që është në të janë të miat, dhe është kënaqësia ime t’jua plotësoj nevojat. Vetëm ma kërkoni. 7

Ndërsa mendoja gjatë, kuptova se Zoti ka një plan të paparashikuar për çdo fatkeqësi të mundshme. Për çdo shqetësim, Ai ka një zgjidhje në majë të gishtave të Tij. Për më tepër, është kënaqësia e Tij të kujdeset për ne! Ai nuk na konsideron një bezdi kur vijmë tek Ai me frikën dhe shqetësimet tona. Përkundrazi, si At i dashur që është, Ai na merr dhe na thotë butësisht, “Unë e kuptoj. Pse nuk e lini atë frikë me Mua dhe më lejoni Mua ta menaxhoj atë për ju?” 8

“Zoti nuk na ka dhënë një frymë frike” — shkroi apostulli Pal, “por fuqi, dashuri dhe mendje të shëndoshë.” 9


  1. Shih Ligji i Përtërirë 31:6.
  2. Shih Isaia 54:14.
  3. Shih Psalmin 46:2.
  4. Shih Psalmin 23:4.
  5. Shih Isaia 51: 7.
  6. Shih Luka 12: 7.
  7. Shih Luka 12:32.
  8. Shih 1 Pjetrit 5: 7.
  9. 2 Timoteut 1: 7