Ne zbritëm poshtë 378 shkallë spirale në Minierë e Kripës në Wieliczka, në Poloninë jugore duke pyetur veten se çfarë do të gjenim atje dhe duke menduar se sa e lehtë ishte të humbje në labirintin nëntokësor që ndodhej rreth nesh. U mahnita sesi dikush mund të kalonte kaq shumë kohë nga jeta e tij nën tokë dhe të qëndronte i shëndoshë mendërisht.
Ndërsa kalonim nëpër dhoma të ndryshme, para nesh shfaqeshin skulptura prej kripe. Qindra vjet më parë, një minator anonim pa në thellësi të tokës dritën e qiririt që pasqyrohej tek kripa dhe aty kuptoi se ai ishte një material i mrekullueshëm ku mund të gdhendeshin skulptura. Ndoshta ai ëndërronte të bëhej artist si Leonardo da Vinçi apo Michelangelo. Ndoshta në orarin e drekës apo pas pune krijonte kryeveprat e tij që nuk do të shfaqeshin kurrë në një muze të famshëm apo në një katedrale të ndriçuar. Ajo do të shërbente vetëm për të frymëzuar minatorë të tjerë si ai vetë. Ndoshta ai shpresonte se aty në thellësi mund t’u tregonte atyre rrugën drejt Zotit. Pastaj, edhe të tjerët filluan të gdhendin.
Katërqind e dyzetë e tre metra nën sipërfaqen e tokës, minatorët krijuan një kishëz. Në mure ata përshkruan jetën e Jezusit, që nga lindja e deri tek ringjallja. Ndoshta duke hyrë në atë errësirë të frikshme, kuptuan se kishin në mënyrë të dëshpëruar nevojë për mbrojtjen dhe kujdesin e Zotit .
Kush e kishte menduar se shkëlqimi i diellit mbi kripë do ta bënte atë të ndriste si mermer? Kush e kishte imagjinuar se njerëz që bëjnë punë të tilla krahu do të gjenin kohë dhe frymëzim për të bërë kryevepra? Shoqëruesi na ftoi të testonim akustikën e cila shquhej si ndër më të mirat e botës, dhe na tregoi sesi njerëzit i sillnin ende fëmijët e tyre aty në minierën e kripës, nëse vuanin nga astma apo alergji të ndryshme për efektet kuruese që kishte ajri i kripur.
Pasi u kthyem me ashensor drejt sipërfaqes së tokës, vazhdova të mendoj për minierën e kripës. Nuk jam skulptor, artist apo kompozitor, por ama për mua është shumë i rëndësishëm fakti që jam në gjëndje të krijoj diçka përmes shkrimit tim. Çfarëdo që bëni, mund të jetë frymëzuese për të tjerët.
Jeta nuk është vetëm diell dhe qiej blu. Edhe në një vend të errët, një qiri i vockël mund të na orientojë të zbulojmë qëllimin tonë. Djersët dhe lotët nuk do të zgjasin, por bukuria që krijojmë gjatë jetës tonë mund të mbijetojë dhe të ndriçojë jetën e dikujt tjetër.