Një nga sfidat e jetës Kristiane është fakti se nëse bëhesh ndjekës i Jezusit nuk do të thotë se ke fituar imunitet ndaj sprovave dhe fatkeqësive të jetës. Ne e dimë që Zoti është dashuri, 1 por edhe ata që besojnë tek Ai vuajnë nga sëmundje, pësojnë aksidente, kanë vështirësi financiare, shqetësime, frikë dhe vdesin njëlloj si çdokush tjetër.
Jezusi nuk e zbukuroi të vërtetën, por Ai ofroi ndihmë kur tha, “Në botë do të keni mundime, por mos u trembni! Unë e kam mundur botën.” 2
Pavarësisht se Zoti nuk i zgjidh gjithmonë problemet tona, ashtu siç duam ne, Ai i kushton atyre vëmendje. Ai na njeh aq mirë sa di dhe se sa fije floku kemi në kokë! 3 Ai e kupton se çfarë përjetojmë edhe kur ne nuk e shprehim dot me fjalë, 4 dhe tregon dhembshuri ndaj nesh. 5 Zoti nuk na i largon gjithmonë telashet, por ne mund të gjejmë forcë dhe të shpresojmë duke e ditur se Ai është pranë nesh dhe ka për të na ndihmuar. “Lum ai njeri që pëson tundim, sepse pasi t’i qëndrojë provës do të fitojë kurorën e jetës, të premtuar atyre që e duan Zotin.” 6
Sigurisht që është fantastike të dish që Zoti është në anën tënde dhe që përpiqet të nxjerrë të mira nga çdo gjë që na ndodh. Por, kur gjërat nuk shkojnë mirë, njerëzit dëshirojnë të kenë edhe mbështetjen dhe ndihmën e të tjerëve. Ka shumë vuajtje dhe trishtim rreth nesh dhe nuk mund të zgjidhim çdo problem që hasim; por sidoqoftë, secili nga ne mund të japë kontributin e tij për të përmirësuar gjendjen e dikujt që po kalon kohë të vështira duke ia lehtësuar sadopak barrën e rëndë.
Siç ka thënë dhe Shën Tereza e Jezusit (1515-1582), “Krishti nuk ka trup, por trup për Të është trupi yt, Ai nuk ka duar e as këmbë, si të tilla shërbejnë gjymtyrët e tua.”