A jeni gjendur ndonjëherë në një kantier ndërtimi, ku punëtorët shtrojnë me shumë kujdes një dysheme me pllaka—një nga ato dyshemetë me mozaikë me mijëra pllaka të vockla që bëhet si një pikturë kur ka përfunduar? Ndërkohë që punohet, piktura nuk është aq qartë dhe e dukshme, sepse punëtorët përdorin stuko për të mbushur hapësirat midis pllakave dhe stukoja lë njolla dhe fsheh bukurinë e asaj që ata kanë bërë. Por pastaj, sapo stukoja midis pllakave thahet dhe cipa e njollave pastrohet, piktura del në pah.
Në të njëjtën mënyrë punon edhe Zoti me jetën tonë. Në mençurinë e Tij të pafund dhe me dashurinë e Tij që na rrethon, Ai e kupton shumë mirë se për çfarë kemi nevojë dhe bën të pamundurën për të na i mundësuar ato gjëra edhe në detajet më të vogla.
Ai shpesh përdor problemet e jetës, si vështirësitë ekonomike, problemet personale dhe gabimet, për të punuar në mënyra që ne nuk i prisnim. Ne, jo gjithmonë e përfytyrojmë atë që Ai po përgatit për ne apo kuptojmë se përse Ai ka lejuar diçka “gri” në jetën tonë, si ajo stukoja mbi mozaik. Por kjo e bën përkujdesjen e Tij të ngrohtë më të thellë dhe më të bukur kur ajo shfaqet në fund.