Në Predikimin në Mal, Jezusi u mësoi ndjekësve të Tij parime themelore për të besuar në kujdesin e Zotit, kur tha: “Prandaj po ju them: Mos u shqetësoni për jetën tuaj, çfarë do të hani apo çfarë do të pini, as për trupin tuaj, çfarë do të vishni. A nuk është jeta më e vlefshme se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja?” (Mateu 6:25).
Kur kuptojmë se Zoti është Ati ynë, që na do dhe do të kujdeset për ne, kjo ndërton një besim të thellë tek Ai—një besim që vepron për të kundërshtuar ankthin apo shqetësimin rreth nevojave dhe brengave të përditshme. Fjala greke që përkthehet si “shqetësim” apo “ankth” do të thotë të jesh i trazuar nga brengat, të jesh i shqetësuar. Mesazhi i Jezusit është të kemi besim te Ati, të besojmë se Ai është krijuesi dhe dhënësi i jetës, dhe të besojmë se Ai do të sigurojë për fëmijët e Tij.
Jezusi përdor krahasime të thjeshta nga natyra për të treguar se duhet të vendosim besimin tek Zoti dhe jo tek pasuritë, burimet e të ardhurave apo gjërat e kësaj bote. Ai i drejtohet frikës dhe shqetësimeve tona për mos pasur atë që na duhet sot dhe në të ardhmen.
“Shikoni zogjtë e qiellit: ata as nuk mbjellin, as nuk korrin, as nuk grumbullojnë në hambarë, megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen ata. A nuk jeni ju më të vlefshëm se ata? Dhe kush nga ju, duke u shqetësuar, mund t’i shtojë një orë të vetme jetës së tij? Dhe pse shqetësoheni për veshjen? Mendoni për zambakët e fushës, si rriten: as nuk lodhen, as nuk tjerrin, por unë po ju them, as Salomoni në gjithë lavdinë e tij nuk u vesh si një nga këta. Por nëse Zoti e vesh kështu barin e fushës, i cili sot është gjallë e nesër hidhet në furrë, a nuk do t’ju veshë edhe më shumë ju, o besimpakë?” (Mateu 6:26–30).
Edhe pse zogjtë nuk mbjellin apo korrin, kjo nuk do të thotë që Zoti ua hedh ushqimin në gojë; ata bëjnë përpjekje për ta gjetur ushqimin. Megjithatë Ai ua siguron ushqimin e nevojshëm. Jezusi përdor një argument “nga më pakja te më e madhja”: Nëse Zoti i ushqen zogjtë, a nuk do t’ju ushqejë edhe ju, që jeni shumë më të vlefshëm se zogjtë?
Kuptimi se krijesa njerëzore është më e vlefshme dhe e rëndësishme për Zotin sesa krijesat jo-njerëzore shfaqet së pari te historia e krijimit, ku njeriu u krijua sipas shëmbëlltyrës së Zotit dhe iu dha pushtet mbi tokën dhe të gjitha krijesat e saj (Zanafilla 1:26–28). Kjo vërtetohet edhe më shumë nga fakti që Zoti i deshi njerëzit aq shumë “sa dha Birin e vet të vetëmlindurin” që të vdiste për mëkatet tona, që kushdo që beson në Të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme (Gjoni 3:16).
Ndërmjet shembujve të zogjve dhe luleve, Jezusi bën një deklaratë që tregon sa e kotë është vërtet shqetësimi: “Cili nga ju, duke u shqetësuar, mund t’i shtojë jetës së tij qoftë edhe një orë të vetme?” (Mateu 6:27). Përgjigja është e qartë: Nuk ka asnjë kuptim të shqetësohemi, sepse nuk ndryshon asgjë.
Pasi nënvizon që shqetësimi nuk ndryshon asgjë, Jezusi pyet: “Nëse Zoti e vesh kështu barin e fushës, që sot është gjallë dhe nesër hidhet në furrë, a nuk do t’ju veshë shumë më tepër ju, o ju besimpakë?” (Mateu 6:30). Disa herë në Ungjillin sipas Mateut, Jezusi përdori shprehjen “o ju besimpakë” kur iu drejtua atyre që ndiheshin të frikësuar apo të shqetësuar, në vend që të besonin te Zoti (Mateu 8:26, 16:8). Besimi, siç përdoret këtu, do të thotë bindje dhe besim se Zoti mundet dhe do të veprojë në të mirën e popullit të Tij.
Pasi ka sqaruar që Zoti, i cili ushqen kafshët dhe vesh tokën, është Ati ynë që na do dhe do të kujdeset për nevojat tona, Jezusi përsërit pra (duke marrë parasysh këto gjëra) se nuk kemi pse të kemi ankth apo të shqetësohemi. “Prandaj mos u shqetësoni, duke thënë: ‘Çfarë do të hamë?’ ose ‘Çfarë do të pimë?’ ose ‘Çfarë do të veshim?’ Sepse paganët kërkojnë të gjitha këto, dhe Ati juaj qiellor e di se ju keni nevojë për to.” (Mateu 6:31–32).
Jezusi bën këtu një krahasim midis asaj që bëjnë jobesimtarët dhe asaj që duhet të bëjnë besimtarët. Fjala greke që këtu përkthehet si “kërkojnë” shpreh idenë e një kërkimi intensiv, ose një dëshire të fortë për një gjë të caktuar. Ndërkohë që të tjerët mund të venë përparësi gjërat e kësaj bote, të krishterët janë të thirrur të kërkojnë së pari mbretërinë e Zotit: “Kërkoni më së pari mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij, dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen. Prandaj mos u shqetësoni për të nesërmen, sepse e nesërmja do të kujdeset për veten e saj. Mjafton dita me të keqen e saj.” (Mateu 6:33–34).
Jezusi na mëson të mos shqetësohemi sot për problemet e mundshme të së nesërmes, por të besojmë te Zoti për sfidat e sotme dhe t’i lëmë të nesërmet në dorën e Tij. Çdo ditë do të sjellë vështirësitë e saj, por kemi sigurinë që me hirin e Zotit Ai do të na ndihmojë t’i kalojmë ato. Jezusi nuk mëson që nuk do të kemi asnjë telash, që jeta jonë do të jetë gjithmonë pa furtunë, por na thërret të përballemi me vështirësitë me besim në kujdesin e Zotit për ne.
Zoti është Ati ynë dhe, si besimtarë, ne jemi fëmijët e Tij. Si fëmijët e Tij që e kërkojnë Atë dhe drejtësinë e Tij, mund të besojmë se Ati ynë “do të plotësojë gjithë nevojat tona sipas pasurisë së tij në lavdinë e Krishtit Jezus” (Filipianëve 4:19). Shpesh Zoti na jep më shumë se sa gjërat bazike, pasi “është i aftë të bëjë shumë më tepër nga sa kërkojmë apo imagjinojmë, sipas fuqisë që vepron në ne” (Efesianëve 3:20).
Shumica prej nesh nuk janë të pasur, por jemi të thirrur të kemi përparësitë e duhura në lidhje me paratë dhe gjërat materiale. Jemi të thirrur të sigurojmë për familjet tona, të bëjmë më të mirën për të ruajtur sigurinë financiare për të përmbushur nevojat e tyre, duke pasur kujdes që synimet tona financiare të mos zënë vendin e marrëdhënies sonë me Zotin. Si besimtarë, kemi përgjegjësinë të përdorim financat, kohën, dhuntitë dhe burimet tona për lavdinë e Zotit, të kujdesemi për të dashurit dhe të ndihmojmë të tjerët; të jemi bujarë, të japim për Zotin me dhjetëzimin dhe ofertat, dhe të ndajmë bekimet tona financiare me ata që janë në nevojë.
Mesazhi këtu nuk është se të krishterët kurrë nuk do të kenë vështirësi apo periudha të varfërie, apo që jeta jonë do të jetë pa shqetësime, apo që mund të presim që Zoti të na japë me bollëk në çdo kohë dhe vend, apo që nuk do të duhet të punojmë për të pasur jetesën. Mesazhi është që, si besimtarë, nuk duhet të kemi ankth, shqetësim apo brengë për gjërat e kësaj jete, por duhet të besojmë në kujdesin e Zotit, njohurinë e Tij për nevojat tona dhe aftësinë e Tij për të siguruar.
Mund të jetojmë me paqe në zemër dhe mendje, duke ditur se Zoti është në kontroll, se Ai ka në zemër më të mirën për ne, se na do dhe do të kujdeset për ne. Siç ka shkruar Apostulli Pal: “Mos u shqetësoni për asgjë, por në çdo rrethanë, me lutje dhe përgjërim, me falënderim, paraqisni kërkesat tuaja para Perëndisë. Dhe paqja e Perëndisë, që ia kalon çdo kuptimi, do të ruajë zemrat dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus” (Filipianëve 4:6–7). Premtimet e Zotit qëndrojnë të vërteta, pavarësisht nëse jemi në një kohë stabiliteti dhe sigurie, apo në kohë humbjesh, pasigurie financiare, sëmundjeje, trazirash politike apo fatkeqësish natyrore.
Jemi në duart e Tij. Ai na do, kujdeset për ne dhe është furnizuesi ynë besnik dhe ndihma e pranishme në të gjithë jetën tonë. Pavarësisht çfarë situate gjendemi apo çfarë ndodh rreth nesh, mund ta vendosim plotësisht besimin tonë tek Ai, duke ditur se na do, jemi fëmijët e Tij, dhe do të jetojmë me Të në përjetësi.