Kur djali ynë Pete ishte tre vjeç, u diagnostikua me leuçemi dhe jeta jonë ndryshoi pa masë nga një moment në tjetrin. Nuk ka manual udhëzimi që t’ju tregojnë sesi të përballeni më këtë situatë, kur djali juaj ka një sëmundje që i rrezikon jetën. Edhe pse gjetëm strehë në krahët e ngrohtë të Jezusit, Bariut tonë të dashur, na duhej ende të gjenim mënyrën për të përballuar situatat e tmerrshme që do të vijonin në javët dhe muajt në vazhdim.
Më në fund, pamë dritë në fund të tunelit. Mjekët thanë se Pete u shërua. Por në të vërtetë lufta nuk kishte mbaruar ende; vite më vonë, përbindëshi i shëmtuar nxorri sërish kokën e tij të ndyrë, dhe jo një herë, por dy herë.
Herën e parë kur u rikthye sëmundja e kancerit, ishim në Afrikën e Jugut, një vend jo shumë i njohur për ne me një gjuhë, kulturë dhe sistem mjekësor ndryshe nga sa ishim mësuar më parë. Por frika dhe dhimbja ishte e njëjtë. Po ashtu edhe pritja e pafund për të parë shenjat më të vogla të përmirësimit. Përmirësimi erdhi vërtetë dhe sërish na u duk se u shërua … deri tre vite më vonë kur u tronditëm pasi zbuluam se kanceri ishte rikthyer sërish në jetën e djalit tonë.
Vetëm dhjetë vjeç, Pete po përballej me kancerin për të tretën herë.
Qamë dhe u mërzitëm shumë. Nuk po i kuptonim arsyet e Zotit, por e ndjenim prezencën e Tij pranë nesh. Isha i sigurt se gjithë këtë mund ta lidhja me gjendjen e apostulit Pal kur shkroi: “Nga çdo anë jemi të shtrënguar nga vështirësitë, por jo të dërrmuar. Duke dyshuar, por jo të dëshpëruar. Nuk jemi … asnjëherë të braktisur nga Zoti. Duke u rrëzuar, por jo duke u shkatërruar.” 1
Dhe kështu, sërish u mbajtëm fort.
Kur u rikthyem në spital, mjeku na shpjegoi se mundësia më e mirë që Pete të shërohej plotësisht ishte me anë të një transplanti të palcës. Të gjithë anëtarët e familjes bënë testin, por asnjëri nuk përputhej me Pete-n.
“Të bëjmë edhe një herë analizat,” – sugjeroi ai.
Javën tjetër mjeku na takoi duke buzëqeshur. “Djali juaj i vogël përputhet mjaftueshëm,” – tha ai.
Nuk e arritëm fitoren menjëherë. Sërish na u deshën ditë, javë dhe muaj derisa Pete doli jashtë rrezikut për jetën. Por ama ai e mori veten dhe nuk ka patur më kancer në dhjetë vitet e fundit.
Si të mbijetoni në rast krize? Mbani dorën e Bariut, moment pas momenti, orë pas ore, ditë pas dite.
- 2 Korintasve 4:8-9 ↑