A ndjeni ndonjëherë që, në mënyrë që të përmbushni pritshmëritë tuaja dhe të të tjerëve, duhet të punoni pa pushim, të shtyni lodhjen, të injoroni stresin, dhe përsëri të jetë e pamjaftueshme? Kërkesat do t’i tejkalojnë gjithmonë burimet. Vetëm të mendosh për këtë është stresuese, megjithatë ne e kalojmë shumicën e kohës pikërisht nën këtë stres.

“Menaxhimi i stresit” është një term me të cilin jemi njohur të gjithë. Ndërlikimi është se stresi do të jetë gjithmonë pjesë e jetës sonë dhe ne thjesht duhet të mësojmë ta menaxhojmë më mirë. Sot ju sjell këshillën e menaxhimit të stresit që do të lërë të gjitha këshillat e tjera në hije: Bëni më pak.

Thjesht shtypja e atyre fjalëve ishte stresuese. Mua edhe mendimi se nuk jam në gjendje të bëj gjithçka, më krijon ankth. Po me kë tallem? Në të vërtetë, nuk i bëj dot të gjitha. E di këtë, por mendoj se mantra ime ka qenë “Bëj sa më shumë që të jetë e mundur”. Asnjëherë nuk ka qenë “Bëj më pak”. Sa i çuditshëm si mendim!

Kohët e fundit jam përqendruar në një plan “shpenzo më pak”. shkurtojmë shpenzimet tona, në mënyrë dramatike për një kohë, për të mësuar veten se e blera më pak është në rregull. Në fakt, e blera më pak krijon më shumë. Paratë që ne nuk i shpenzuam filluan të grumbulloheshin ngadalë në llogarinë bankare, e cila ishte diçka që nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Filluam të kishim para për shpenzime para se ato shpenzime të bëheshin të nevojshme, në vend që të mundoheshim për to. Ishte vërtet e mahnitshme.

Fillova të pyes veten, a mundet që ky koncept të zbatohet në fusha të tjera që shkaktojnë stresin e jetës sime, si mënyra se si e shpenzoj kohën time? A mund të angazhohesha më pak, dhe nëse po, a do të krijoja ndonjë lloj rezerve? Apo do të kishte ndonjë lloj deficiti po ta bëja?

Jezusi tha diçka që unë besoj se përshtatet këtu: “Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë.” 1 Ai sigurisht që nuk ishte shembull i të nxituarit, përkundrazi. Supozoj se Jezusi ishte i rrethuar edhe atëherë nga njerëz, të cilët nxitonin duke u përpjekur të bënin gjithçka. Prindërit që përpiqen të mbledhin fëmijët për darkë, sipërmarrësit që përpiqen të fillojnë biznesin, priftërinjtë që përpiqen të kryejnë të gjitha detyrat e tyre, shërbëtorët që përpiqen ta bëjnë pavarësisht ngarkesës të paarsyeshme të punës, dhe lista vazhdon.

Por Jezusi thotë,“ Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.” 2

Sa herë që tundoheni të bëni më shumë, bëni diçka tjetër dhe shtyheni më shumë, bashkohuni me mua duke marrë një minutë kohë dhe për të pyetur veten (dhe Jezusin), a do të ishte në rregull, nëse do të bënit më pak? Si do të dukej “bërja më pak” në këtë situatë?

Unë dyshoj se, si unë, ju mund të mësoni diçka të re, dhe të zbuloni pak hapësirë dhe pak çlodhje.


  1. Mateu 11:30
  2. Mateu 11:28