Një gjë që më ka pëlqyer gjatë kohës që jetova në Japoni është aftësia që kanë japonezët për të shndërruar veprimtaritë e përditshme në shfaqje arti. Punë të zakonshme si bërja e çajit, kujdesi ndaj luleve, kopshtaria, mbledhja e gurëve janë kthyer në veprimtari kulturore dhe shpirtërore. I adhuroj se si e bëjnë këtë gjë dhe se si e çmojnë bukurinë që iu sjellin këto aktivitete të thjeshta të jetës.
Thuhet se ceremonia e çajit përbën kulmin e të gjithë arteve. Në qytetin japonez ku unë jetoja, zhvillohet një ceremoni vjetore çaji në një ambient në kalanë e qytetit, të ndërtuar posaçërisht për këtë ngjarje. Dhe kjo ngjarje që nuk duhet humbur rrjedh siç vijon:
Ndërsa hyjmë brenda në dhomën e pushtuar nga qetësia dhe heqim këpucët, një grua e veshur me kimonon tradicionale na uron mirëseardhjen. Sjellja e saj e çiltër, lëvizjet e saj të hijshme dhe dhoma jo shumë e ngarkuar kanë një efekt qetësues. Rrogozët, qilimat prej kashte, na përkëdhelin shuajt e këmbëve. Dhoma e çajit ka dyer të mëdha prej letre që rrinë të hapura për të treguar një kopësht të zbukuruar dhe një shatërvan. Tingulli i ujit që rrjedh na qetëson mendjen. Në mur gjendet një poezi që lartëson bukuritë e manjolës, dhe poshtë saj ndodhet një kombinim lulesh që të mahnisin me thjeshtësinë e tyre. Këndi ku është vendosur secila lule ka një domethënie: së bashku, ato tregojnë marrëdhënien mes qiellit dhe tokës.
Zonja që na pret përgatit çajin me shkathtësinë e një balerine. Çdo lëvizje–futja e picetës në rrobën e saj të gjërë, lëvizja e furçës në çaj, derdhja e çajit në tas–janë koreografuar me kujdes nga mjeshtrat e çajit ndër vite. Zonja që na shoqëron është përgatitur për këtë rol që kur ka qenë vajzë e re.
Marrim tasat e bërë me dorë enkas për këtë qëllim dhe bëjmë komentet e zakonshme mbi bukurinë e tyre. Tasat kanë një pjesë të përparme dhe një të mbrapme dhe një orientim specifik se si duhen mbajtur. Keku shërbehet në gjethe. Përshëndetemi me shoqëruesen pasi shijojmë kënaqësitë që të falin gjërat e thjeshta dhe në fund largohemi po aq qetë dhe me respekt siç edhe erdhëm. Ndihemi disi ndryshe.
Mjeshtrat e çajit dhe ata që e pëlqejnë çajin kanë zbuluar se gjërat e thjeshta mund të shndrrohen në ngjarje domethënëse e të gëzueshme.