Magjepsem gjithmonë e më shumë kur shoh se si Lidja, një mike shumë e afërt e imja, kthen mbeturinat në vepra arti. Ajo drejton në mënyrë vullnetare një qendër të quajtur Koraci (Hapat) dhe organizon seminare mbi artin për fëmijë, të moshuar, të rinj, shtëpiakë, njerëz me aftësi të kufizuara etj.
Përveç teknikave të zakonshme si qeramikë, punimeve artizanale me lule dhe letër, arti i saj i mbiciklimit më duket më magjepsësi, thuajse si një mrekulli e realizuar sa herë që ajo vë duart mbi diçka që duket pa vlerë. Në fakt, unë mbaj një çantë pranë tavolinës sime ku kam shkruar “Lidja” në të cilën mbledh të gjitha llojet e kanaçeve, copëza të thyera xhami, copa të ndryshme, stoli të hedhura, mbajtëse të vogla kartoni e çdo gjë tjetër. Po të mos ishte çanta e Lidjas, të gjitha këto do të shkonin në koshin e mbeturinave.
Herë pas here kam parë që të gjitha ato që përmenda më sipër të transformohen në vepra arti. Motoja e Lidjes është: “Mos hidh kurrë asgjë; gjithçka mund të përdoret.” Njerëzit që e njohin buzëqeshin kur e shohin si i shkëlqejnë sytë kur sheh diçka te re, sepse ajo mund ta përfyrojë menjëherë se çfarë mund të bëhet me atë objekt të hedhur.
Por Lidja e praktikon mbiciklimin edhe në një fushë tjetër. Këtë e bën në punën e saj. Prej disa vitesh, ajo punon për një shkollë riedukimi për të dënuarit në moshë të vogël, nga 8 deri 18 vjeç. Këta fëmijë zakonisht vijnë nga shtresat më problematike të shoqërisë dhe janë si diamantë të papërpunuar, prandaj duhet të jetë dikush që t’i shohë me dashuri dhe besim shtesë për të kuptuar potencialin që ata kanë. Sa herë që e vështroj Lidjen në punë duke u falur dashuri dhe përkujdesje këtyre fëmijëve, duke i mësuar rreth artit, të gatuajnë, si të sillen, duke i përqafuar apo duke u dhënë më tepër ushqim, duke i trajtuar si të ishin fëmijët e saj, duke qarë e duke u lutur për ta, duke festuar kur ata ia dalin mbanë, është “mbiciklimi” më i mirë që shoh!
Falë dashurisë dhe përkujdesjes së saj, ata janë bërë më të mirë, si diamante të papërpunuar që dikush i mblodhi nga koshi i mbeturinave dhe i mbicikloi!
Mbiciklimi: Riciklimi është procesi i kthimit të mbeturinave në një produkt të përdorshëm ose rinovimi i një produkti për ta përdorur sërish. Mbiciklimi, një formë e veçantë e riciklimit, është procesi që kthen mbeturinat apo një produkt të panevojshëm në një produkt të një cilësie më të mirë. Projektet e mbiciklimit mund të jenë të thjeshta si p.sh të palosësh një gazetë të vjetër në formë vazo luleje ekologjike. Raste të tjera përfshijnë stoli të bëra me zinxhirë, pantofla të bëra me leshin e pulovrave të përdorura, çanta të bëra nga thurja e shiritave të qeseve plastike dhe bluza të kthyera në fustane të modës për fëmijë.