Duke mos patur besim, ne i presim rrugën mrekullive që janë nisur drejt nesh. Jeta është e lidhur shumë me besimin për të parë mundësitë që të tjerët nuk i vënë re. Merrni për shembull, farën e mollës. Shumë njerëz e hedhin bërthamën dhe farat si një gjë të pavlerë, por dikush që ka besim qoftë edhe të vogël sa ajo farë, mund të shohë brenda tyre një botë plot mundësi.

Kur dishepujt e Tij ishin të pashpresë sepse nuk ishin në gjëndje të kuronin disa sëmundje, Jezusi u tha se kjo ndodhte për shkak të mosbesimit të tyre. “Ju nuk besoni sa duhet,”—u tha Ai. “Në të vërtetë po ju them, se po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoni këtij mali: ‘zhvendosu nga këtu atje’, dhe ai do të zhvendoset. Asgjë s’do të jetë e pamundur”. 1

Hej, prisni një minutë! Jezusi tha farë sinapi, jo farë molle. Dakord, por çështja është se nëse do të kishim sado pak besim, mund të arrijmë shumë, madje mund të lëvizim edhe malet! Dhe bëhet fjalë për periudhën para se të shpikej dinamiti apo fadroma për të shpërthyer dhe rrëzuar malet.

Mbrapa shtëpisë sime ndodhet një pemë e vjetër molle. Nëse vini në fund të Gushtit, bari nën pemë është plot me mollë, shumica kanë një krimb brenda sepse nuk përdorim pesticide. Pjesa më e madhe mund të përdoret vetëm për reçel, por nëse i hiqni pjesët e kalbura para se krimbi ta ketë pushtuar të gjithë kokrrën e ta prisni copa-copa, mund të bëni një byrek fantastik me mollë.

Kjo më sjell ndërmend një shembull të një njeriu që kishte shumë besim për të parë mundësitë edhe në gjërat më të vogla. E kam fjalën për John Chapman, i njohur ndryshe si John Appleseed (Farëmolla). Ekzistojnë shumë legjenda lidhur me këtë hero të popullit amerikan, por ka edhe shumë të vërteta që ia vlen të  ritregohen për jetën e tij.

John Farëmolla jetoi nga viti 1774 deri në 1845 dhe vinte nga qyteti im, Pittsburgh, Pennsylvania.

Ai mblidhte farat e mollës që mbeteshin pas kthimit të saj në uthull, më pas i pastronte e i thante për t’i bërë gati për mbjellje. I vendoste në një qese dhe nisej drejt perëndimit në zonat që sapo kishin filluar të populloheshin në atë kohë. Ai krijonte fidanishte mollësh me farat e tij dhe përkujdesej derisa të bëheshin fidanë të mëdhenj që të mund t’i shiste apo ti shkëmbente me mallra të tjerë që i nevojiteshin.

Ky predikues këmbëzbathur që mbillte pemë, ishte një vizitor i mirëpritur për të gjithë banorët e asaj zone. Ata e ftonin në shtëpitë e tyre dhe kënaqeshin me lajmet e historitë që ai tregonte rreth vendeve ku kishte qenë. Ai shërbente gjithashtu si një bibliotekë lëvizëse, sepse kishte Biblën e tij të ndarë në pjesë dhe e linte njërin libër në një shtëpi dhe pastaj e këmbente me një libër tjetër kur kalonte sërish.

Mollët e pemëve që rriten nga farat e mollës nuk janë shumë të ëmbla, ndaj mollët që rriste Johnny shpesh përdoreshin për të bërë uthull (ajo përdorej si konservues ushqimi) dhe pemët përdoreshin për të shënuar kufijtë e tokave.

Ashtu si Johnny, edhe ne mund t’i përqafojmë mundësitë që na shfaqen përpara. Kur para nesh hapen dyert dhe dritaret e mundësive, mund të hyjmë e të marrim bekimet që Zoti ka për ne dhe të tjerët përreth nesh. Të shohësh një mundësi kur të shfaqet para teje është thjesht hapi i parë. Më pas vijnë të gjithë hapat e tjerë për ta bërë realitet atë mundësi, si dhe shumë nga sfidat me të cilat Johnny u përball kur mbolli pemët e mollëve nga farat që kishte mbledhur.

Ta bëjmë që të ndodhë

Ajo që ka rëndësi nuk është aftësia ime, por reagimi im ndaj aftësisë së Zotit.—Corrie ten Boom (1892–1983)

Mjerë ata që nuk këndojnë kurrë, por vdesin me gjithë atë potencial muzikor të izoluar brenda vetes.—Oliver Wendell Holmes Sr. (1809–1894)

Kini besim te vetja! Krijoni brenda vetes atë person me të cilin do të donit të jetonit gjatë gjithë jetës tuaj. Bëni maksimumin për veten duke kthyer në zjarr arritjesh çdo shkëndijë mundësie.—Golda Meir (1898–1978)

Koha është e shkurtër ndaj mos e humbni duke jetuar jetën e dikujt tjetër. Mos lejoni të kufizoheni nga mendimet e njerëzve. Mos lejoni zhurmën e opinioneve të të tjerëve të mposhtë zërin tuaj të brendshëm. Dhe më e rëndësishmja, gjeni guximin të ndiqni thirrjen e zemrës dhe intuitës suaj. Ato e dinë deri diku se çfarë dëshironi. Çdo gjë tjetër është e parëndësishme.—Steve Jobs (1955–2011)

Ju e keni provën që tregon nëse ka mbaruar apo jo misioni juaj në tokë. Nëse jeni ende gjallë, do të thotë që s’ka mbaruar.—Richard Bach (lindur v.1936)

Mos kini frikë nga largësia mes endrrës suaj dhe realitetit. Nëse mund ta ëndërroni, mund ta realizoni.—Belva Davis (lindur v.1932)

Mos ji i ndruajtur për veprimet e tua. E gjithë jeta është një eksperiment. Sa më shumë eksperimentoni, aq më shumë përfitoni.—Ralph Waldo Emerson (1803–1882)


  1. Mateu 17:20