Nuk është çudi që Bibla ka frymëzuar shumë artistë; teksti i saj është plot me shëmbëlltyra shumëngjyrëshe . Marrim këtë fragment për shembull: “Ke mbjellë shumë por ke korrur pak. Ti ha, por nuk je i ngopur. Ti pi, por ende ke etje. Ti vesh rroba, por prapë ke ftohtë. Paga zhduket sikur ta kesh futur në xhepa të shpuar!” 1 Sot është po aq i vërtetë sa edhe mijëra vjet më parë. Ne mund të imagjinojmë se për çfarë e ka pasur fjalën profeti Hagai: një punë që nuk e bën me qejf, luftën për të siguruar nevojat bazë, përpjekjet e kota për të qenë në një hap me diktatet e modës, rënien e vlerës së parasë.
Tani le të kthehemi te Predikuesit: “Vlen më tepër një grusht me qetësi se sa dy grushte plot me mundim duke u përpjekur të kapësh erën.” 2 Kjo është një figurë në lëvizje me kuptimin e plotë të fjalës. Imagjinoni një dorë të mbushur plot me gjëra që ju pëlqejnë si arra, fruta apo çokollatë. Mund t’i hash me kënaqësi. Tani imagjinoni të dyja duart të mbushura me monedha dhe që përpiqeni t’i mbani fort se mos ju bien në dysheme, ndërsa kapni litarin për të kontrolluar velat e anijes.
Edhe pse duhet të punojmë për të siguruar “ushqim në tavolinë dhe rrobe për të veshur,” 3 është dhuratë e Zotit që çdo njeri ha e pi dhe gëzon të mirat e mundit të tij, 4 dhe “të përpiqesh të kapësh erën” shkon përtej kësaj. Përmbushja vjen kur mësojmë të falenderojmë Zotin për atë që kemi dhe atë që nuk kemi. Ky është sekreti i të qënurit të kënaqur. 5
“Të qenurit i kënaqur është një nga lulet e parajsës, nëse e kemi, duhet ta kultivojmë. … Pali thotë: “Unë kam mësuar si të jem i kënaqur” 6 [duke sugjeruar] se një herë nuk dinte se si. I kushtoi shumë për të zbuluar sekretin e kësaj të vërtete të madhe.” —Charles Spurgeon (1834–1892)
I dashur Jezus, Ti ke bërë çdo gjë të bukur në kohën e vet. 7 Më jep gëzim ta jetoj këtë moment duke menduar për Ty dhe ndihmën Tënde, jo vetëm për të mirat materiale, por edhe për dashurinë dhe besimin që u jep të gjithëve atyre që vijnë pranë Teje. Më ndihmo të njoh të vërtetën e premtimit Tënd, “Hiri Im të mjafton.” 8 Bëhu qëndra e mendimit tim, që shpirti im të jetë në paqe.