Të nesërmen në mëngjes lexova një pjesë nga Veprat, ku Pali, në fjalimin e tij të lamtumirës në kishën e Efesit, foli të jetojmë me bujari dhe të punojmë fort për t’u siguruar që gjithmonë ka diçka për t’u dhënë të varfërve, sepse është më e bekuar të jepni sesa të merrni. 1 S’e dija që do të testohesha për këto parime pak më vonë.

Unë dhe shoqja shijuam një pasdite të ngrohtë pranverore në ballkon, duke pirë një lëng frutash të ftohtë. Po bisedonim për arritjet e javës dhe planet për muajin në vazhdim. Para se të largohej, shoqja ime, e cila është një punonjëse sociale në një lagje të varfër, solli në vëmendje një situatë urgjente që kishte hasur kohët e fundit.

“Mëshira ka qenë jetime në pjesën më të madhe të jetës së saj, dhe tani fatkeqësisht në moshën 25 vjeçare është diagnostikuar me kancer. Ajo i ka siguruar të ardhurat duke larë rrobat për njerëzit, dhe shumicën e muajve ajo nuk arrin as pagën minimale. Me mungesë fondesh për sigurimin shëndetësor, ajo tani ka mbetur e pashpresë dhe duhet ta financojë vetë trajtimin urgjent e të nevojshëm. Ajo u ka kërkuar ndihmë dashamirësve, por ende nuk ka mjaftueshëm para për ilaçe.”

Me një vështrim mirëpritës në sytë e saj, shoqja ime ndaloi dhe mes nesh pati një moment heshtje. Desha shumë ta ndihmoja, por ishte fundi i muajit dhe kisha fatura për të paguar. U gëzova kur i ra telefoni dhe ajo ishte e zënë me telefonatën. Kjo më dha një moment kohë për të zgjidhur konfliktin që po zhvillohej me shpejtësi brenda meje.

Pse tani? – mendova me vete.

Ndërsa isha e zhytur në mendim, më lindi ky mendim: A nuk e kemi arritur tashmë maksimumin e dhënies për këtë muaj? Dhe pasi të paguajmë faturat, plani është që më në fund të fillojmë të kursejmë për disa nga nevojat më të mëdha të familjes.

Pastaj, ndërhyri ndërgjegjja: A nuk të ka ndihmuar Zoti sa herë që i ke tejkaluar limitet e tua për t’i dhënë dikujt që ka nevojë?

Mendja ime: E vërtetë, por… plani im i kursimit.

Kërceu përsëri ndërgjegjja ime: Pse të mos mendojmë për parimet që na mësoi Jezusi, t’i “japim atyre që kërkojnë” dhe “trajtoji të tjerët siç do të të trajtojnë.” 2

Mendja ime: E drejtë, por më duhet të gjej urgjent një ekuilibër mes dhurimit dhe kursimit.

Ndërgjegjja ime s’hiqte dorë: “Falas morët, falas jepni.” 3

Ma ktheu mendja: S’është një gotë ujë! Po flasim për para të thata, të cilat s’i kam për momentin.

Ndërgjegjja ime: Mendoni për një parim tjetër që mësoi Jezusi: “Sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua.” 4

Duke psherëtirë thellë, ngrita sytë dhe pashë shoqen time.

“Mund ta ndihmoj unë.”

Ndërgjegjja ime kishte fituar dhe me një ndjenjë të papritur paqeje, gërmova në rezervat e mia financiare dhe dhashë atë që duhej, duke besuar se Zoti me të vërtetë do ta plotësonte boshllëkun që unë sapo kisha krijuar.

Pothuajse e kisha harruar këtë incident kur u takova me një të njohur të vjetër ndërsa kisha dalë për të bërë pazar disa ditë më vonë. Para se të largohej, ai futi dorën në çantën e tij dhe më dha një zarf të mbyllur dhe më tha, “Zoti dhe zemra më diktuan t’jua jepja këtë, për gjithçka që ke bërë për mua. Jam i sigurt që një njeri bujar si ti do t’ia gjejë vendin e duhur.”

Kur arrita në shtëpi, gjeta një shumë bujare parash në zarf, që e plotësoi ciklin e këtij muaji të marrjes dhe të dhënies.

Kur krijojmë një boshllëk mes ndarjes dhe dhënies, tërheq jo vetëm bekimin financiar, por edhe lumturinë dhe ndjenjën e arritjes. Nxit miqësitë dhe shoqërinë. Na mbron nga sëmundja e lënies mënjanë dhe na mëson ciklin e dhënies dhe marrjes “Falas morët, falas jepni.” 5


  1. Shih Veprat 20:32–35.
  2. Mateu 5:42 NLT; Luka 6:30–31 CEV
  3. Mateu 10:8
  4. Mateu 25:40 CEV
  5. Mateu 10:8