Na ishte një herë një burrë që nuk besonte tek Zoti, dhe nuk ngurronte t’ua thoshte të tjerëve mendimin e tij rreth fesë apo festave fetare, si Krishtlindjet. Bashkëshortja e tij besonte, dhe i rriti fëmijët duke i mësuar të besonin në Zot dhe tek Jezusi, pavarësisht komenteve nënvlerësuese të bashkëshortit të saj.
Gjatë një vigjiljeje Krishtlindjesh me borë, bashkëshortja e tij po çonte fëmijët në një shërbesë të kishës për Krishtlindje, në fermën ku jetonin. Ajo i kërkoi të shkonte me ta, por ai nuk pranoi.
“Ajo është një histori pa kuptim!” – tha ai. “Pse do ta ulte veten Zoti të vinte në tokë si njeri? Është qesharake!”
Bashkëshortja dhe fëmijët u larguan. Ai qëndroi në shtëpi.
Pak më vonë, era u egërsua dhe reshjet e dëborës u kthyen në stuhi. Duke parë nga dritarja, burri mundi të shihte vetëm një stuhi verbuese dëbore. U ul për të pushuar para flakës së oxhakut.
Pas pak, dëgjoi një goditje të fortë. Diçka kishte goditur dritaren. Pastaj dëgjoi një tjetër goditje. Vështroi jashtë, por nuk mundi të shihte më larg se disa metra. Kur stuhia pushoi pak, hodhi sytë jashtë për të kuptuar se çfarë mund të ishte përplasur në dritare. Në fushën pranë shtëpisë, ai pa një tufë patash të egra. Me sa dukej, ato kishin qenë duke u larguar drejt jugut për shkak të dimrit dhe i kishte kapur stuhia e dëborës dhe nuk mund të vazhdonin më tej. Ato kishin humbur dhe ishin bllokuar në fermën e tij, pa ushqim dhe strehë. Ato përpëlitnin krahët dhe fluturonin rreth fushës duke krijuar rrathë të vegjël pa mundur të shihnin dhe pa ditur se ku shkonin. Dhe nga sa dukej, dy prej tyre ishin përplasur në dritaren e tij.
Burrit i erdhi keq për patat dhe donte t’i ndihmonte. Hangari do të ishte një vend i mirë ku mund të qëndronin, mendoi. Është i ngrohtë dhe i sigurt. Ato mund të kalonin natën aty dhe të prisnin derisa të mbaronte stuhia. Ai shkoi tek hangari, hapi derën fort dhe pastaj po shikonte dhe po priste, duke shpresuar se ato do ta vinin re hangarin e hapur dhe do të hynin brenda. Por patat vetëm fluturonin përreth pa ndonjë synim dhe nuk po e vinin re hangarin apo të kuptonin sesi mund t’u shërbente ai atyre. Burri u përpoq t’i tërhiqte vëmendjen, por ato thjesht u trembën më tepër.
Ai hyri në shtëpi dhe doli me pak bukë, e ndau dhe bëri një vijë me thërrime që të çonte të hangari. Ato sërish nuk e kuptuan.
Në këtë moment burri po acarohej. Ai doli mbrapa tyre dhe i trembi për t’i çuar drejt hangarit, por ato u frikësuan më tepër dhe u shpërndanë në çdo drejtim, por jo drejt hangarit. Asgjë nga ato që ai bëri nuk içoi ato në hangar, aty ku do të ishin ngrohtë dhe të sigurta.
“Pse nuk më ndjekin?!” – bërtiti ai. “A nuk e shohin që ky është i vetmi vend ku mund t’i mbijetojnë stuhisë?”
Për një moment mendoi se ato nuk do të shkonin pas një njeriu. “Ah sikur të isha patë, atëherë do t’i shpëtoja,” – tha me zë të lartë.
Aty i erdhi një ide. Hyri në hangar, mori një nga patat e tij, e mbajti në krahë ndërsa vinte përreth tufës së patave të egra. Kur e lëshoi, pata shkoi në hangar. Një e nga një, patat e egra e ndoqën pas.
Burri qëndroi pa lëvizur dhe në mend i vinin fjalët që kishte thënë më parë: Ah sikur të isha patë, do t’i kisha shpëtuar! Pastaj mendoi për atë që i kishte thënë bashkëshortes së tij më herët. “Pse do të donte Zoti të ishte si ne? Është qesharake!” Papritur e gjitha ekishte një llogjikë. Këtë kishte bërë edhe Zoti. Ne ishim si patat e egra – të verbër, të humbur, tëhutuar, duke vdekur. Ndaj Zoti dërgoi Birin e Tij që të bëhej si ne, në mënyrë që të na tregonte rrugën dhe të na shpëtonte. Ky ishte kuptimi i Krishtlindjeve, konkludoi ai.
Ndërsa era dhe dëbora verbuese po pushonin, shpirti i tij u qetësua dhe ai mendonte rreth kësaj gjëje të mrekullueshme. Papritur kuptoi se çfarë domethënie kishin Krishtlindjet, përse kishte ardhur Krishti. Vitet e mosbesimit dhe dyshimit u shuan si stuhia e dëborës. Ai u ul në gjunjë në dëborë dhe bëri lutjen e tij të parë: “Faleminderit, Zot, që erdhe si qënie njerëzore për të më nxjerrë nga stuhia!”