Kam qenë gjithmonë një njeri shumë aktiv. Që kur kam qenë adoleshente, njerëzit thonin që “E zënë” është emri im i dytë.
Pas vdekjes së bashkëshortit tim, fillova të përjetoj shumë stres. E pashë veten të mposhtur edhe nga vështirësitë e vogla, dhe e dija që duhej të gjeja strategjitë e duhura për t’u përballur dhe reduktuar stresin sa më shumë.
Hapi i parë dhe më i vështirë ishte të ngadalësoja ritmin dhe të përshtasja punën sipas aftësive të mia. Doja shumë të vazhdoja me të njëjtim ritëm që kisha ecur gjithmonë. Por një ditë, kur humba kujtesën për një ditë të tërë pasi kisha kaluar një javë shumë stresuese, vendosa të kufizoja gjërat që merrja përsipër dhe kohën që investoja në to.
Gjëja e dytë që bëj, menjëherë pas kohës që kaloj me Jezusin duke lexuar, është një listë me të gjitha angazhimet që kam atë ditë. Pas mëngjesit, i marr gjërat një e nga një dhe atë që mbetet pa bërë deri në fund të ditës, e zhvendos në listën e ditës tjetër. Kjo gjë më ka çliruar nga ankthi se çfarë duhet të bëj dhe nëse kam harruar ndonjë gjë pa bërë.
Hapi i tretë, përqëndrohem në jetën time shpirtërore. Lexoj ose dëgjoj Biblën dhe materiale të tjera frymëzuese dhe dëgjoj këngë motivuese ndërsa pastroj, gatuaj apo qep. Gjithashtu, shoqërohem me kristianë të tjerë gjatë fundjavave.
Së katërti, marr pjesë më shpesh në aktivitete zbavitëse, si plazhe apo festa ditëlindjeje, të cilat më ndihmojnë të largoj mendjen nga problemet dhe të mendoj më e qetë. Kur nxjerr qenin shëtitje pasdite, falenderoj Zotin për perëndimin e diellit, për malet dhe për gjithë të mirat e tjera që kam, në vend që të mendoj për punën. Dhe kjo, ka një efekt pozitiv për shpirtin tim.
Fëmijët me siguri e dinë sekretin; ata rrallë kanë probleme me stresin dhe gjithmonë e shijojnë momentin. Ata nuk shqetësohen për të ardhmen, sepse e dinë që prindërit e tyre do të kujdesen për ta. Jezusi ka thënë se ne duhet të jemi si fëmijët që të hyjmë në mbretërinë e Zotit.[1. Shih Mateu 18:3.] Pra, përveç gjithë strategjive të mia, përpiqem t’i kujtoj vetes faktin se Ati im do të kujdeset për mua tani e përgjithmonë, dhe se Ai dëshiron që unë të shijoj dhuratën më të madhe që Ai më ka dhënë, jetën.