“Nuk i dua këto këpucë. U ankova. “Unë i dua këto!” I tregova një palë të tjera, të cilat në mendjen time të papërvojë gjashtë vjeçare dukeshin shumë më mirë se pala që më tregonin dy shitësit me zgërdhirjen e tyre të pasinqertë dhe mamanë time.
“Por Koos,” m’u lut nëna, “ti ke këmbë të sheshta. Të duhen këpucë me mbështetjen e duhur.”
Por unë nuk isha i bindur. Mua të gjithë këmbët më dukeshin të sheshta. Këpucët që ajo donte të më blinte dukeshin sikur ishin veshur nga alpinistët që po fillonin ngjitjen në malin Everest, ndërsa ato që doja kishin lidhëse të kuqe të ndritshme dhe një kapëse argjendi.
Nëna psherëtiu dhe buzëqeshja në fytyrën e shitësit u venit në një shikim të frustruar, sepse këpucët që desha unë, ishin dukshëm më të lirë.
“Këto këpucë nuk janë të mira për ecje të gjata”, tentoi të më bindte nëna përsëri. “Do të të vrasin dhe do të të acarojnë.”
Por unë isha një fëmijë mjaft i vullnetshëm, i përqendruar tek vetja dhe nëna ime po më rriste mua dhe vëllanë tim vetëm. Në fund, ajo si pothuajse gjithmonë u dorëzua, siç bëri këtë herë. Ndërsa dilnim nga dyqani, me krenari vesha këpucët e mia të reja me shkëlqim dhe një grup grash të moshuara në rrugë ndaluan për të thënë “Sa i ëmbël”.
Por të nesërmen, na u prish makina. Në ato ditë në Holandë, nuk kishte aq shumë makina në rrugë dhe sigurisht jo ndonjë shërbim 24-orësh karrotreci. E vetmja gjë që mund të bënim ishte të ecnim shtatë kilometra për në shtëpi dhe ta zgjidhnim ditën tjetër.
Sa e urreja atë ecje! I urreja këpucët e mia të reja të shndritshme me lidhëset e këpucëve të kuqe! I urreja flluskat e përgjakura në të gjithë gishtat e këmbëve dhe ankohesha gjatë gjithë rrugës për në shtëpi!
Përfundova me këpucët e rënda që më ishin dashur gjatë gjithë kohës. Isha mirënjohës edhe pse ato nuk dukeshin aq të bukura, e dija pse isha më mirë me to.
Rikujtimi i historisë së këpucëve më bëri të mendoj për një mësim. Sa shpesh mundohemi ta paraqesim veten si të bukur. Duam të ecim me këpucë që mendojmë se do të na bëjnë të dukemi të bukur, ndërsa Zoti e di se mund të kemi nevojë për diçka ndryshe, diçka që në të vërtetë do të jetë e mirë për ne.
Herë pas here, kam qenë një i krishterë sipas leverdisë. Kam veshur këpucë të shndritshme të fesë, duke shpallur me guxim virtytet e hirit dhe duke dënuar mëkatin. Por kur erdhën provat, nuk isha gjithmonë në gjendje të “ecja në ecjen” që po predikoja. Ende po mësoj të besoj dhe të pranoj llojin e këpucëve që Zoti më jep dhe t’i vesh ato me një buzëqeshje të hijshme. Në fund të fundit, Ati e di më mirë.