Të gjithë kemi një zonë rehatie – situata me të cilat ndihemi mirë, njerëzit me të cilët komunikojmë natyrshëm dhe pa shumë përpjekje. Kufijtë e kësaj zone shpesh janë të përcaktuar nga përvojat tona të mëparshme, frikat tona, normat kulturore dhe nga ajo që mendojmë se do të pranohet nga të tjerët. Gjithashtu, edhe nga ekuilibri ynë mes përpjekjes dhe stresit – sa shumë jemi të gatshëm të bëjmë pa u ndjerë të mbingarkuar.

Zona e rehatisë tonë është e këndshme dhe e sigurt. Problemi është se nëse lejojmë që ajo të drejtojë vendimet tona, mund të na kufizojë rritjen dhe zhvillimin personal. Mund të na privojë nga përvoja të bukura që jeta ka për të na ofruar. Dhe, nëse nuk e sfidojmë veten të rritemi dhe të dalim përtej saj, rrezikojmë të ngecim, të bëhemi pasivë në zemër, mendje dhe shpirt.

Kur Perëndia dëshiron të zgjerojmë horizontet tona, por ne qëndrojmë brenda kufijve të rehatisë sonë, rrezikojmë të kënaqemi me më pak, në vend që të përpiqemi të arrijmë potencialin tonë të plotë. Mund t’i humbasim shanset për të parë se sa shumë mund të arrijmë dhe, gradualisht, mund të pushojmë së ndërmarrë hapa besimi në drejtime të reja.

Sigurisht, nuk është e lehtë të dalësh nga kufijtë e njohur. Ka pasiguri dhe rreziqe, sepse nuk e dimë si do të shkojnë gjërat. Por, sfida është ajo që na bën më të thellë, më të pasur shpirtërisht dhe me një ndjenjë më të madhe qëllimi. Takimi me njerëz të rinj, ide të reja dhe mundësi të reja i jep jetë dhe eksitim të veçantë përvojës sonë. Nuk mund të rritemi plotësisht nëse nuk jemi të gatshëm të kalojmë përtej asaj që besojmë se janë kufijtë tanë.

Burri im, Peter, më tregoi një herë për vizitën e tij në një qendër rehabilitimi fizike. Atje, pa një burrë që po mësonte të ecte përsëri. Ai bënte hapa të vegjël dhe të ngadaltë, por terapistët vendosën se ishte koha që të bënte më shumë. Burri kundërshtoi – kishte frikë se nuk do t’ia dilte dhe se mund të binte. Por, me një terapist nga secila anë duke e ndihmuar të ecte më shpejt, kuptoi se mund ta bënte! Pa mbështetjen dhe inkurajimin e të tjerëve, ndoshta nuk do të kishte guxuar të dilte nga zona e tij e rehatisë dhe të bënte përparimin që arriti.

Ndonjëherë, Perëndia na “trazon” zonën tonë të rehatisë dhe sjell sfida të reja në jetën tonë. Këto mundësi na ndihmojnë të dalim përtej kufijve që ndoshta vetë ia kemi vendosur vetes. Edhe pse fillimisht mund të ndihemi të pasigurt, në fund zbulojmë se kemi mundësi dhe potenciale të reja që as nuk i kishim menduar më parë.