Dje i mblodha miqtë në tryezën time dhe shërbyem një darkë që burrit tim iu deshën orë të tëra për ta përgatitur. Ishte një mbrëmje e mrekullueshme. Po ashtu dje, në titujt kryesorë ishin dy akte të ndara e të tmerrshme dhune, që vranë njerëz. Lëvizja ime në mediat sociale gjithashtu tregonte për njerëz të afërt me mua që ishin të sëmurë, duke vdekur, duke u divorcuar, duke varrosur të dashurit, të varfër, të vuajtur dhe të vetmuar.

Unë dhe një nënë tjetër po flisnim për këtë pyetje se si mund të ekzistojmë në këtë botë të shkatërruar, që mban kaq shumë ligësi dhe dhimbje? Si mund të jemi të lumtur? Si t’i mësojmë fëmijët të jenë të lumtur? Unë mendoj se ky tension, midis jetës dhe vdekjes, dhuratave dhe humbjes, paqes dhe frikës, bukurisë dhe dhimbjes, ka ekzistuar që nga agimi i krijimit.

Ditën tjetër, shijova perëndimin më madhështor të diellit, ndërsa ngeca në trafikun e tmerrshëm të shkaktuar nga një aksident fatal. Ç’të bësh? Pikërisht në të njëjtën kohë dhe vend, ka një perëndim dielli që më kujton bukurinë që Zoti mund të krijojë, si dhe humbjen e dukshme dhe thyerjen e zemrës disa qindra metra larg.

Mendoj se përgjigja është se duhet t’i mbajmë të dyja realitetet në zemrat tona. Ne mund të lejojmë që gjërat e tmerrshme ta bëjnë bukurinë edhe më të çmuar. Ne sjellim sa më shumë dashuri dhe bukuri në botë dhe e festojmë atë! Dhe kur arrijmë tek gjërat e shëmtuara, të vështira, kujtojmë se Jezusi tha se në këtë botë do të kemi mundime, por se Ai e ka mposhtur botën, prandaj mund të jemi të gëzuar.1

Ne mund të gjejmë gëzim duke e ditur se Zoti është në kontroll, se Ai është ngadhënjyesi. Nuk e di nëse do të mund t’i përballoja të gjitha gjërat e këqija nëse nuk do të kisha besim te Jezusi; nëse nuk do të mund ta hapja Biblën time dhe të lexoja për besimin e ndjekësve të hershëm të Jezusit, jeta e të cilëve nuk ishte aq e lehtë, por që vazhduan përpara. Ata ishin gjithashtu ngadhënjyes, të aftë të ishin dritë, dashuri dhe shpresë në një botë të errët dhe të thyer.

Përgjigja ime nëse mund ta njohim gëzimin në këtë botë të rrëmujshme është një “Po” kumbuese! Jam më e bindur se kurrë për këtë!


  1. Shih Gjoni 16:33.