Kur besimi ynë është i fortë, mund të kemi paqe edhe në mes të stuhisë, ashtu si Jezusi, i cili flinte në pjesën e pasme të varkës ndërkohë që dishepujt e Tij ishin të tmerruar nga dallgët që i mbështillnin rreth e rrotull (Marku 4:38–39). Kur e thirrën për ndihmë, Jezusi i foli erës “Qetësohu, rri e heshtur!” Dhe menjëherë gjithçka u qetësua. Pastaj iu drejtua dishepujve: “A ende nuk keni besim?” – duke i qortuar se, në vend që të binin në dëshpërim, duhej të kishin kërkuar ndihmën e Perëndisë.

Besimi dhe paqja janë si motra binjake – ecin krah për krah.

Besimi na sjell paqe, duke na çliruar nga shqetësimet për të kaluarën dhe të ardhmen. Kur jemi të sigurt se Perëndia na do pa kushte dhe kujdeset për çdo gjë, mund të pushojmë dhe të shijojmë bekimet, gëzimet dhe punën tonë të përditshme. Nëse bëjmë pjesën tonë, dimë se Ai do të bëjë të vetën. Kështu, mund të përqendrohemi tek e vetmja gjë që kemi fuqinë ta ndryshojmë – momenti i tanishëm – dhe të jetojmë plotësisht në të tashmen.

Paqja është një thesar i çmuar. Psikologët thonë se dy “hajdutët” më të mëdhenj të paqes janë pendimi dhe traumat e së kaluarës si dhe ankthi dhe frika për të ardhmen. Jezusi, në Predikimin e Tij të famshëm në Mal, na mësoi të mos shqetësohemi për asnjërën prej tyre. (Shih Mateu, kapitujt 5, 6 dhe 7.)

Atëherë, si mund ta ruajmë këtë paqe? Duke kaluar kohë me Zotin – në lutje, falënderim, adhurim dhe duke lexuar e medituar mbi Fjalën e Tij. Bibla është e mbushur me premtime – mbrojtje, përkujdesje, shërim, hir, bekime pa fund. Mund të kemi besim të plotë se “Ai që e nisi një vepër të mirë te ju, do ta çojë atë deri në fund, deri në ditën e Jezu Krishtit” (Filipianëve 1:6).

Prandaj, pse të mos takosh sot këto motra binjake të mrekullueshme? Fillimi është i thjeshtë: kërkoji Jezusit të vijë në zemrën tënde, të falë gabimet dhe mangësitë e tua dhe të mbushë jetën tënde me besim dhe paqe. Dhe e bukura është se këto motra kanë edhe shumë “vëllezër e motra” të tjerë – dashurinë, gëzimin, shpresën, hirin, mirësinë, butësinë, durimin… dhe lista vazhdon! Çfarë familjeje e mrekullueshme! Dhe përmes Krishtit, ato mund të bëhen pjesë e jetës tënde!

Mund ta pranosh Jezusin duke thënë këtë lutje të thjeshtë:

Jezus, besoj se Ti je Biri i Perëndisë. Faleminderit që vdiqe në kryq për mua, në mënyrë që, përmes sakrificës Sate, unë të mund të jetoj përgjithmonë me Ty në qiell. E hap zemrën time për Ty. Të lutem, më fal mëkatet e mia. Mbushmë me Frymën tënde të Shenjtë dhe më ndihmo të të ndjek Ty. Amen.