Më kujtohet shumë mirë kur burrat në lagjen tonë mblidheshin çdo mbrëmje pas pune në një shesh pranë shtëpisë sime për një lojë me patkonj. Ritmi i jetës ishte shumë më i qetë kur unë isha fëmijë. Puna ishte nga ora 9 deri në 5, dhe pastaj vinte koha për pushim dhe për të luajtur me patkonj.
Ju ndoshta nuk e njihni lojën me patkonj. Një patkua metali në formë U-je hidhet drejt një shkopi metali të ngulur në tokë rreth 12 metra larg. Lojtari që hedh patkoin më afër shkopit është fituesi. Kur patkoi bie përqark shkopit, quhet “unaza”.
Ajo ishte koha ideale për të biseduar rreth ditës. Meshkujt tregonin arritjet apo shqetësimet e tyre të fundit ose diskutonin rreth çështjeve të ditës. Nuk kuptoja asgjë, por e dija që kënaqeshin shumë.
E gjithë kjo u zhduk me ardhjen e televizorit. Kur të gjitha familjet blenë televizorë, njerëzit kalonin gjithmonë e më pak kohë duke luajtur me patkonj. Ata i kalonin mbrëmjet para mrekullisë së re me imazhet e saj bardhë e zi. Dhe ky ishte vetëm fillimi.
Sipas një studimi të fundit, anglezët kalojnë më shumë se 50% të ditës së tyre duke përdorur pajisje teknologjike: duke parë TV, në internet dhe duke biseduar në mediat sociale. Mesatarja ditore e 8 orëve dhe 41 minutave është më shumë se mesatarja e gjumit të natës! 1
Udhëtimet e para për qëllime tregtare u bënë para njëqind vitesh. Tani, më shumë se 8 milion njerëz udhëtojnë mesatarisht çdo ditë me avion. 2 Është e diskutueshme nëse e gjithë kjo shpejtësi na ka bërë më të lumtur ose jo. Gjithashtu, nuk mendoj se përparimi i teknologjisë na ka sjellë paqen e mendjes.
Ne nxitojmë nga lindja deri në vdekje duke mos patur kohë të ndalemi për t’u marrë erë luleve. Bëj më shumë, më mirë, bëje sa më parë, pasurohu shpejt—ose futu në borxh shpejt. Ushqimi i shpejtë, kompjutera të shpejtë, para e shpejtë, makina të shpejta, korsi shpejtësie, biseda të shpejta. “Jeto shpejt” duket se është bërë sllogani ynë.
Ndonjëherë grumbullojmë kaq shumë stres në këtë jetë të shpejtë saqë e kemi të vështirë për ta përballuar. Ndonjëherë stresohemi dhe nuk e kuptojmë përse. Herën e fundit që shkova te dentisti mësova se më ishin plasaritur disa prej dhëmbëve. Dentisti më shpjegoi se nga stresi kisha kërcitur dhëmbët në gjumë.
Janë bërë shumë studime mbi reduktimin e stresin, si shkaktar i paaftësive të ndryshme, rënies së produktivitetit, mosfrekuentimit të aktiviteteve—të gjitha të lidhura me stresin në punë—që i shkaktojnë ekonomisë miliarda dollarë çdo vit. Por cila është kura? Kohën nuk mund ta kthejmë mbrapa dhe as nuk do të donim ta bënim. Bota e sotme është ndryshe nga ajo në të cilën unë u rrita, ndaj duhet të përshtasim strategjitë tona. Fatmirësisht, disa prej zgjidhjeve praktike që këto studime kanë sugjeruar duken mjaft të lehta për t’u praktikuar:
- Merruni me kopshtari.
- Sistemoni shtëpinë apo vendin e punës.
- Falni më shumë dashuri dhe afeksion, si dhe lejoni të tjerët t’jua kthejnë.
- Shkoni të bëni një masazh.
- Investoni kohë në krijimin e marrëdhënieve të mira me të tjerët.
- Bëni ndryshime të shëndetshme në dietën tuaj ushqimore dhe në mënyrën e jetesës duke konsumuar më pak alkool, duke pakësuar kafeinën apo duke lënë cigaren.
- Bëni gjimnastikë, mundësisht në natyrë.
- Bëni tri çdo ditë komplimenta të sinqerta në punë.
- Çlodhuni.
- Dëgjoni muzikë të lehtë.
- Bëni pak pushime.
- Mbani një kafshë shtëpiake.
Të gjitha këto këshilla praktike janë të dobishme, por për të gjetur paqen që tejkalon çdo arsye, duhet bërë më tepër. Duhet të degjosh për një moment brenda zemrës zërin e butë të Zotit. Atë zë që na siguron se Ai na do pavarësisht të metave tona.
Gjeni pak kohë sot që të përtëriheni në lutje në mënyrë që të gjeni prehje për shpirtin tuaj. Problemet që hasni sot do t’i shihni në prespektivë sapo të provoni dashurinë e Zotit. Një profeci e shprehur pak para lindjes së Jezusit thotë se Ai do të “udhëheqë hapat tona drejt paqes.” 3 Uroj të ndiqni rrugën që Ai ju tregon.