Kur isha fëmijë, e urreja me shpirt të humbisja në çdo lloj loje. Nuk e kisha të lehtë ta pranoja që nuk mund ta hidhja zarin në mënyrë të përsosur, të bëja gjuajtjen e përsosur apo të luaja çdo herë letrën e përsosur. Edhe sot, preferoj ende më shumë të fitoj sesa të humbas, por nuk jam më aq i dhënë pas fitores me çdo kusht dhe jam i lumtur kur e di që kam bërë goditjen time më të mirë. E shoh djalin tim gjashtëvjeçar teksa mundohet me gjërat që ndonjëherë nuk shkojnë sipas pritshmërive të tij dhe lutem që ai ta ketë më të lehtë ta nxërë atë mësim.

Jeta është shumë më tepër sesa të fitosh çfarëdo synim, por shumica e njerëzve ende e kanë një ide se si do ta vlerësonin veten. Ne fitojmë me të vërtetë kur ndërtojmë një jetë të lumtur familjare, jemi të suksesshëm në karrierën tonë ose kemi një rreth të ngushtë miqsh të mirë. Dhe këto gjëra janë vërtet të rëndësishme. Është natyra njerëzore të kërkosh një jetë të lumtur dhe të suksesshme, por si të krishterë, qëllimi ynë kryesor është të jetojmë një jetë në përputhje me Fjalën e Perëndisë dhe rrugët e Tij. Ky është përkufizimi i Zotit për fitoren.

Një herë, Jezusi u pyet se cili është urdhërimi më i madh. Përgjigja e tij na jep një pasqyrë se si Ai e përcakton një jetë fitimtare: “‘Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.’ Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi. Dhe i dyti, po aq i rëndësishëm, është: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten.’”1

Ky është një përkufizim mjaft i thjeshtë, por natyrisht që, nuk është aq e lehtë të jetosh, apo jo? Fatmirësisht, ne nuk jemi vetëm. Zotit mund të mos i interesojë kush fiton një ndeshje tenisi apo një lojë me letra, por ne mund të mbështetemi në ndihmën e Tij në gjërat që kanë vërtet rëndësi. Ai dëshiron që ne të triumfojmë në gjërat që kanë rëndësi: “Unë jam mirënjohës që Zoti gjithmonë e bën të mundur që Krishti të na udhëheqë drejt fitores.” 2


  1. Mateu 22:37–39
  2. 2 e Korintasve 2:14