Duke ecur nëpër kopështin botanik të Kalkutës, në Indi, u magjepsa nga ngjyrat e gjalla e plot jetë të luleve. Për disa orë m’u duk sikur më kishin zhvendosur nga rrëmuja e qytetit në një botë plot bukuri. Duke dalë, hyra në zyrë për të përgëzuar stafin për punën e mirë që bëjnë për t’u përkujdesur për bimët.
Drejtori ndodhej aty atë ditë dhe kishte shumë dëshirë të ndante me mua informacione rreth atij vendi. Mësova se kishte qenë misionari William Carey ai që e kishte hapur këtë institucion – më i vjetri i llojit të tij në Indi – në vitin 1820, me synimin për të ndihmuar njerëzit e zonës në forma sa më praktike. Ai shihte fermerët vendas që përdornin fara jo ciësore dhe teknika bujqësore jo efektive dhe dëshironte të përmirësonte jetesën e tyre dhe t’i ndihmonte të njihnin ato që ai i quante “aftësitë e tokës për të pasuruar një komb pa masë.”
Vizioni i Carey-t ishte shumë më i largët se thjesht mbjellja dhe ekspozimi i luleve të bukura. Ai mblodhi specie lulesh në zhdukje dhe i rriti ato në kopështin botanik në mënyrë që të ruheshin për të ardhmen. Ai përfshiu gjithashtu misër, pambuk, çaj, kallam sheqeri, dhe dru kinine (një pemë me gjelbërim të përjetshëm lëvorja e së cilës përdoret për të prodhuar kininën, një alkaloid kundër malaries) nga vende të ndryshme dhe futi konceptin e plantacionit në këtë pjesë të Indisë. Ai ua ofroi me sukses këtë vision të tjerëve, dhe shoqëria që ai krijoi çoi në futjen e një rrjeti të gjerë drithërash, kulturash, frutash, perimesh dhe bimë e pemë të tjera.
U befasova se si trashëgimia e Carey-t jeton ende edhe pas dy shekujsh nga ideja e tij fillestare. Kur e filloi këtë kopësht, ishte një gjë e papërceptueshme dhe hasi shumë vështirësi dhe kundërshtime. Megjithatë, përveç kujdesit ndaj bashkëshortes së sëmurë, përkthimit të Biblës në disa gjuhë, përpjekjeve për të hequr aktin e vetëdjegies së gruas në turrën e druve gjatë funeralit të të shoqit (flijimi i gruas së ve), Carey ishte këmbëngulës.
Kopështi u zhvendos disa herë, derisa u vendos më në fund në adresën aktuale në vitin 1870. Në këtë vend, ai i ka rezistuar luftërave, trazirave, thatësirave dhe katastrofave. Sipërfaqja e madhe e tokës ku shtrihet, është sot një pasuri e patundshme e rëndësishme në qendër të qytetit, dhe jam i sigurt se nuk janë të paktë njerëzit që do të donin ta shihnin të shndërrohej në një hapësirë tjetër më fitimprurëse. Kopështi është një pasuri me vlerë e shoqërisë, dhe janë të pakta shanset që ai t’i dorëzohet etjes për para. Të ndërtosh një projekt të tillë sot në këtë vend, do të ishte një punë madhështore – për të mos thënë e pamundur. Ishte largpamësia dhe puna e Carey-t për gjithë ato vite që i dhanë mundësinë njerëzve sot të shijojnë sadopak praninë e parajsës në tokë.
Më bëri të kuptoj se ne mund të kemi një ndikim shumë të madh mbi të ardhmen dhe brezat e ardhshëm. Puna e Carey-t në kopësht tregon trashëgiminë që mund të lëmë pas. Ai ndoqi vizionin e tij i cili ka dhënë shumë fryte, qoftë në kuptimin e parë të fjalës apo atë figurativ. Ndonjëherë nuk e vlerësojmë sa duhet ndikimin që mund të kemi. Çdo njeri që ndihmojmë apo jetë që prekim do të ketë një efekt të ndjeshëm ndër breza deri në përjetësi, por duhet të çajmë tokën e të mbjellim atë farën e parë që të krijojmë kopështin.
[divider icon=”ellipsis-horizontal” style=”none”]
Të sjellësh ndryshim
Prirja e çdo burri apo gruaje është t’i shërbejë njerëzve të tjerë.—Leo Tolstoy (1828–1910)
“Do të doja t’i jepja pak bukuri jetës,” u shpreh Ana si nëpër ëndrra. “Nuk dua t’i bëj njerëzit të dinë më shumë… edhe pse e di që kjo është ambicja më fisnike… por do të doja t’u ofroja kohë më të bukura… të provonin gëzimin apo mendime të lumtura që nuk do të kishin ekzistuar po të mos kisha lindur unë.”—Anne Shirley në Shtëpinë e Endrrave të Anës, nga Lucy Maud Montgomery (1874–1942)
Shikoje fermerin. Ka mbyllur një vit të vështirë; është i shqetësuar për të ardhmen. A do të jenë më të mira të korrat e vitit të ardhshëm? Pavarësisht frikës që ka, ai s’mund të qëndrojë në fermë me sytë e ngulur tek çaji në tavolinën e kuzhinës. Duhet të mendojë për të ardhmen e fermës, për familjen e tij.
Ngrihet. Del jashtë gjithë ankth dhe mbjell farat e tij. Era do të fryjë, shiu do të bjerë, dielli do të shkëlqejë. Pas pak kohe, të korrat do të shtohen. Ai do të kthehet në fermë shumë më i lumtur, me frytet e të korrave të tij që qëndrojnë të sigurta në hangar.
Nëse nuk do të kishte përfytyruar rezultatet, nuk do ta kishte hedhur kurrë farën. Nëse nuk do të kishte dalë jashtë, nuk do të kishte të korra. T’i largohemi asaj zonës së sigurt dhe të ngrihemi për të realizuar qëllimet tona, edhe kur është e vështirë të bëhet. Vetëm kështu do të mund të sjellim ndryshimin.—Chris Hunt