Xhipi ynë tronditej nëpër rrugicën e prishur që do të na nxirrte në rrugën kryesore dhe më pas në shtëpi në Naroibi, pas një projekti të suksesshëm me ndihma humanitare në një zonë të largët rurale në Kenia. Mendja po më fluturonte tek java e ngarkuar që më priste. Projekti tjetër ishte afër dhe duhej të planifikohej dhe të organizohej, dhe dukej sikur dita kishte shumë pak orë për të bërë çdo gjë gati.
Gjuri më kishte bezdisur herë pas here para disa ditëve, dhe së fundi dhimbja u bë e vazhdueshme dhe e mërzitshme. Deri atëherë e kisha shmangur, por e dija që do të më duhej ta vizitoja. Por nuk gjeja dot kohë dhe vazhdoja ta shtyja.
Pasi mbërrita në shtëpi, shkova në shtrat herët, e rraskapitur dhe gjithë dhimbje. Gjatë natës, më zgjoi një dhimbje therëse dhe pashë që kisha enjtje rreth kupës së gjurit. Piva një qetësues dhe u përpoqa të flija edhe pak. Në mëngjes, dhimbja ishte akoma më e fortë ndaj telefonova mjekun, i cili më kërkoi të shkoja me urgjencë në zyrën e tij. Atje, pas një kontrolli të mirëfilltë, analizash gjaku dhe grafish, u konfirmua prania e një infeksioni të thellë në këmbën time i cili rrezikonte të përhapej.
Mjeku ngrysi vetullat ndërsa shihte rezultatet. “Duhet të të shtrojmë menjëherë.”
U përpoqa të kundërshtoja. “Por kam takime të rëndësishme dhe shumë punë për të bërë këtë javë.”
“Puna jote duhet të presë!” – këmbënguli mjeku. “Ky infeksion duhet të ndalet, në të kundërt mund edhe të humbësh këmbën!”
Ndërrova mendim dhe ashtu me dhimbje shkova drejt spitalit më të afërt për kontrolle të mëtejshme. Atje një infermiere më ofroi një karrige me rrota dhe më shoqëroi në një dhomë të vogël. Pasi u largua, mua më përfshiu një qetësi dhe e kisha të qartë se duhej të qëndroja aty brenda. Dhoma ishte e pastër dhe e bardhë. Dritarja me një perde me lule qëndronte përballë kopshtit të rrethuar me pemë. Në dhomë ndodhej një televizor i vogël i vendosur në mur, një lavaman me një pasqyrë të vogël dhe një shtrat me kornizë metali. U futa poshtë mbulesave e pushtuar nga zemërimi dhe shqetësimi.
Shumë shpejt, dera u hap dhe hyri një infermiere për të më vendosur një serum. “Mos u shqetëso zemër, do bëhesh mirë shumë shpejt,” – tha me bindje, buzëqeshi dhe u largua. Mbeta vetëm sërish.
Kuptova se kisha dy zgjedhje. Njëra ishte që të lija gjithë situatën të më mposhte, e tmerruar nga çdo minutë që më duhej të kaloja atje. Dhe zgjedhja tjetër ishte të kërkoja një rreze të vogël drite që duhej të ishte fshehur diku pas një reje të zezë. Vendosa të zgjedh të dytën dhe iu luta Zotit të më ndihmonte të gjeja gëzim në këto ditë të zymta.
Një trokitje në derë më shkundi nga përhumbja në mendime. Ishte një koleg me një buqetë të madhe lulesh, e cila u pasua nga shumë telefonata nga njerëz të dashur që më uronin shërim të shpejtë. Filloi të më përmirësohej humori.
Një buzëqeshje e madhe më përshkoi fytyrën kur pashë para meje një tabaka me kek dhe çaj që më ishte servirur për pasdite. Kishte kaluar shumë kohë që kur më kishin shërbyer në shtrat! Më vonë, pushova, lexova dhe pashë një film. Ishte fantastike të çlodheshe dhe të shijoje atë pushim që ndonëse i papritur, ishte shumë i nevojshëm.
Brenda pak ditësh, gjuri m’u përmirësua dhe isha në gjendje të kthehesha në shtëpi. Ndërkohë, të tjerët e kishin menaxhuar për mrekulli projektin tim.
Jam e lumtur që zgjodha gëzimin, i cili më solli paqe dhe si shpërblim, më ndihmoi të shërohem shpejt.