Gjatë një udhëtimi me avion para disa muajsh, një vajzë e vogël ishte ulur diagonal me sediljen timen. Kishte një libër të ri e të bukur për ngjyrosje, të cilin me sa dukej ia kishte sjellë e ëma enkas për udhëtimin. Në të njëjtin rresht ishte një tjetër vajzë rreth të njëjtës moshë, babai i së cilës ishte ulur pas saj. Vajza nuk kishte libër për ngjyrosje, dhe në fakt dukej se s’kishte asgjë me çfarë të merrej.
Vajza me librin për ngjyrosje shumë shpejt po ngjyroste me përkushtim me lapsat e saj të shpërndara në tavolinën e sediles, dhe vajza tjetër i shikonte dhe i dëshironte. Më erdhi keq për vajzën që s’kishte asnjë, ndaj u luta që fëmija e parë të griste një faqe nga libri i saj dhe ta ndante me të. Dhe në fakt, pas pak pashë që e kishte grisur vërtetë një faqe dhe ia kishte dhënë shoqes pranë saj së bashku me ngjyrat.
U përkula pak përpara dhe i thashë vajzës se ndarja e librit të ngjyrosjes ishte një gjë shumë e bukur që bëri. Fytyra e saj shndriti dhe u kënaq që dikush e kishte vënë re. Nuk e di sa larg mund të shkojë ai bashkëbisedim i vogël, por do të më pëlqente të mendoja se herën tjetër që do i duhet të zgjedhë ta ndajë ose jo diçka, do t’i vijë ndërmend gruaja që ishte krenare për të, sepse ajo mori vendimin e duhur.
Çdokush dëshiron inkurajim. Unë besoj se Zoti dëshiron t’i inkurajojë njerëzit, por shumë herë Atij i duhemi ne për ta bërë këtë. Nëse mendon se nuk ke kohë, nuk ke energji, nuk ke njohuritë e duhura, nuk ke para apo ke shumë pak për të dhënë, mos u shqetëso; na ndodh të gjithëve. Por, ne të gjithë mund të përcjellim kurajo nëpërmjet fjalëve tona, dhe mund të përhapim dashurinë e Zotit kudo që shkojmë. Vetëm në pak minuta, mund të sjellim ndryshim në një stacion autobuzi, në metro, duke kaluar rrugën, në punë, në shkollë, në internet, gjatë një shëtitjeje dhe kështu me rradhë. Fjalët tona nuk duhet me domosdo të jenë të thella apo të rrjedhshme—thjesht fjalë të thjeshta që plotësojnë nevojën e dikujt për dashuri, shpresë, vlerërim apo mbështetje.
Ja një pyetje që mund t’i bëjmë vetes: Çfarë mund t’i them këtij njeriu që do e ndihmojë në një farë mënyre? —Thuaji fjalë që do i gjallërojnë shpirtin, ndriçojnë ditën dhe do i bëjnë të ndihen mirë me veten, të çmuar, të respektuar, të vlerësuar dhe do ndjejnë se ajo që po bëjnë është e rëndësishme?
Çdokush e çmon faktin e të qënurit i rëndësishëm, e të qënurit me vlerë, dhe që po bëjnë diçka që vlen.
Ndoshta fjalët tona të inkurajimit do të jenë vetëm një hap në udhëtimin e dikujt. Ndonjëherë do ta shohim rezultatin e inkurajimit tonë; në kohë të tjera, nuk do të mundim kurrë të shohim rezultatet; por ajo që ka rëndësi është që ne japim inkurajim. Dashuria nuk dështon kurrë, ndaj edhe nëse fjalët tona nuk rezultojnë ta bëjnë dikë të kapë thelbin menjëherë, nuk ka shumë rëndësi. Ajo që ka rëndësi është që njerëzit të ndihen të dashur, të vlerësuar e të respektuar. Është privilegj të dhurosh mirësi.
Edhe në takimet e shkurtra me njerëzit mund t’i japim atyre “një fjalë të thënë në kohën e duhur,” 1 diçka që do u japë njerëzve besim në vetvete dhe besim se ka njerëz në botë që janë të mirë, të sjellshëm dhe që interesohen për të tjerët. Kjo për rrjedhojë, mund t’i bëjë ata të mendojnë për Njeriun e Dashurisë që nxit këto cilësi. Nëse jo, mund të jetë një farë e mbjellë apo e ujitur, e cila do të korret në të ardhmen.
- Fjalet e Urta 25:11 ↑