Kam një dhuratë të veçantë për ju—një dhuratë ndryshe nga ato që keni marrë nga kushdo tjetër. Ajo nuk mund të blihet e as të shitet në dyqan, por Unë jua jap falas. Ajo nuk do të vjetërohet kurrë, nuk do të thyhet, nuk do të prishet dhe do t’ju përshtatet gjithmonë. Askush nuk do të mund t’jua marrë, do ta keni përgjithmonë. Mund ta merrni me vete kudo që shkoni dhe ta shijoni kudo dhe kurdo. Ajo nuk ndryshon kurrë dhe prapë do t’ju mrekullojë dhe mahnisë. Mund ta ndani me këdo dhe përsëri do t’ju ngelet mjaftueshëm. Madje, sa më shumë ta ndani, aq më shumë do të keni.
Dhurata është premtimi se do të më keni gjithmonë pranë. 1 Dua të jem pranë jush, më pranë dhe më afër sesa mund të jetë çdokush mbi tokë, sepse kam shumë dashuri për t’ju dhënë—mjaftueshëm për çdo ditë, që sot e deri në përjetësi.
Dashuria Ime nuk dështon kurrë, është e vërtetë dhe pa kushte. Është dashuria që keni dashur dhe pritur gjithë jetën tuaj. Dashuria Ime është forma më e pasur e më e plotë e dashurisë që ekziston dhe lumturia që ajo sjell kalon çdo kufi. Nuk është një lumturi afatshkurtër, por është një lumturi që zgjat, që shfaqet në të gjitha format e saj—gëzim, mbështetje, kënaqësi, paqe, stabilitet, siguri, pozitivitet. Dhe Unë do të jem gjithmonë pranë jush për të ndarë bashkë gjithçka në kohë të mira dhe për t’ju ndihmuar në kohë të vështira.
- Shih Hebrenjtë 13:5. ↑